2012-08-02 12:27:13

Pesëmbëdhjetëditëshi i Të Ngjiturit të Zojës në Qiell, në Bazilikën romake të Shën Marisë në Rrugën Lata.


Nisi dje në kishat lindore, koha më e fortë mariane, përqendruar tek festa e Të Ngjiturit të Zojës në Qiell, që njihet edhe si “Pashka e Nënës së Zotit”. Solemnitetit i paraprin pesëmbëdhjetëditëshi i lutjes e i agjërimit, “Kreshmët e Virgjërës”. Pesëmbëdhjetëditëshi, që kremtohet në Bazilikën e mirënjohur romake të Shën Marisë në Rrugën Lata, nisi dje e do të vijojë deri më 14 gusht, nga ora 21.30 deri në 22.30. Në mikrofonin tonë, një nga organizatorët kryesor të kremtimit, rregulltari servit, atë Ermano Toniolo:Përgjigje: - Pesëmbëdhjetëditshi i Zojës së ngjitur në qiell – kështu e titulluam, është realizim gati liturgjik i asaj, që kremtohet në botën e Kishës së ritit bizantin, si katolik, ashtu edhe ortodoks, sepse në Kishën bizantine ‘Dremitja” e Marisë konsiderohet si ‘Pashka e Nënës së Zotit’ e 14 ditët, që i paraprijnë, njihen me emrin “Kreshmët e Virgjërës”, në përkim me Kreshmët e mëdha, që i paraprijnë Pashkëve të Krishtit. Janë ditë të rrepta agjërimi, në të cilat besimtarët ngarendin me shumicë në Kishë për të kënduar ritin e lutjeve, drejtuar Nënës së Zotit, të quajtur Paraclisis, përmes të cilit fitohet ndjesa e plotë. E i lartojnë sytë lutës kah Nëna e Zotit, e lumnuar në qiell, për të fituar hirin për vete, për familjet e tyre, për korpin e për shpirtin. Po riti i Paraclisis i këtyre ditëve, është shumë më tepër se një lutje e thjeshtë, është përpjekeje për t’u takuar shpirtërisht me Nënën e Zotit, për t’u përgatitur për kremtimin e Pashkës së lavdisë. Ky rit, tejet i lashtë, kremtohet me solemnitet të veçantë, posaçërisht me dy tekste të mëdha: me Kanunet, domethënë me dy kompozime himnografike: Kanuni i Vogël e Kanuni i Madh i lutjes drejtuar Nënës së Zotit për t’i lypur hire e edhe për t’u përgatitur për kremtimin solemn të festës së Të Ngjiturit të Zojës së Bekuar në Qiell, për Dremitjen a Përgjumjen e Virgjërës, Nënës sonë qiellore.

Pyetje: - Si u përshtat i gjithë ky rit lindor?

Përgjigje: - Ne, në perëndim, i kemi pranuar këto kanune e në një farë mënyre dhe u kemi dhënë frymë perëndimore, e kemi latinizuar liturgjinë bizantine, duke përfshirë tekstet e mrekullueshme, himnografike, që kanë, por duke shtuar edhe Psalme, lexime biblike, lexime patristike, të gërshetuara me këngët tona. Është rit mahnitës! Na çon ditë pas dite, me një gëzim të papërshkrueshëm, që shtohet çdo mbrëmje, drejt 14 gushtit, natës së madhe të të Ngjiturit në Qiell të Nënës së Zotit. Atëherë ne do të këndojmë, e do të këndojmë të gjithë, në Bazilikën romake të Shën Marisë së Madhe; do të këndojmë ritin e madh, e këtë herë jo më me kanunet parakletike të liturgjisë bizantine, por me tekstet e mëdha, troparet, antifonat e shkëlqyera të liturgjisë ruse, që janë rreth 180. Do t’ia hapin zemrën Lindjes, duke e bashkuar në lutje me Perëndimin, për të marrë frymë, siç uronte i Lumi Gjon Pali II, me të dyja mushkëritë, Kishën e Perëndimit e Kishën e Lindjes.







All the contents on this site are copyrighted ©.