2012-08-02 12:31:19

Nunci në Jeruzalem: të krishterët, ura paqeje ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve


Pas pak ditësh, Nunci Apostolik në Izrael e Qipro, imzot Antonio Franko, njëkohësisht Legat apostolik në Jeruzalem e në Palestinë, do të përfundojë misionin e tij në Lindjen e Mesme, duke ia lënë detyrën dikujt tjetër. Një shërbim delikat gjashtëvjeçar, të cilit prelati i ka kushtuar impenjim të madh. I drejtuam kryeipeshkvit mikrofonin tonë, për t’i marrë përshtypjet e tij të fundit:
Ndenjat, që provoj, janë para së gjithash mirënjohje ndaj Zotit dhe ndaj eprorëve të mi, që më lejuan të kaloj këto vjet në Tokën Shenjte. Duhet të them se nuk kam qenë kurrë më parë në Tokën Shenjte e shkela për herë të parë, pikërisht si përfaqësues i Papës. Prandaj, për mua ishte vërtet privilegj! Munda ta provoj unicitetin e kësaj toke në planin shpirtëror dhe ta kuptoj vendin që zë në kuadrin e historisë së Shëlbimit, të ndërhyrjes së Zotit në historinë e njeriut. Pastaj, vijnë ndërlikimet e problemet, që kanë të bëjnë me gjendje konkrete, të cilat i jeton edhe Kisha e këtyre trojeve.
Cila është dëshmia, që japin sot bashkësitë e Tokës Shenjte për të krishterët e për shtegtarët e gjithë botës?
Para së gjithash, për mua, dëshmia ka të bëjë me vetë praninë e tyre në Tokën Shenjte. Sot, këto bashkësi përfaqësojnë Kishën e shekujve të parë, përfaqësojnë traditën e zhvillimit të jetës së krishterë, që nga zanafilla. Të krishterët dëshmojnë para së gjithash, fenë e tyre në Jezusin, atë fe, që jep shpresë.
Sa i rëndësishëm është roli i Kishës, përvoja e saj, si urë ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve, në udhën drejt pajtimit e paqes?
Kisha mund e duhet të jetë ndërmjetësuese, pra, bartëse e të njëjtit mesazh, si për njërën palë, ashtu edhe për tjetrën. Këtë përpiqemi ta bëjmë përmes shumë nismave, në të cilat marrin pjesë të dyja palët, në mënyrë që të krijohet mendësia e nevojshme për kapërcimin e tensioneve. Ne e mbajmë gjallë këtë domosdoshmëri.
Papa Benedikti XVI ka qenë në Tokën Shenjte në vitin 2009. Pas pak javësh do të shkojë në Liban. Cili është kontributi i veçantë, që sipas jush, mund të japë Ati i Shenjtë për gjithë Lindjen e Mesme?
Kontributi është dëshmia, këndvështrimi i tij për bashkëjetesën njerëzore, në të cilën duhet të mbizotërojnë respekti për të drejtat, nga ku rrjedh përpjekja, impenjimi i forcave politike për të vendosur njeriun në qendër të veprimtarisë së tyre. Prania e Papës i bën thirrje përmasës më të thellë të njeriut, asaj shpirtërore, fetare, që është burim shprese, jete e impenjimi për ndërtimin e një shoqërie, ku të respektohet tjetri, ku të respektohet paqja dhe mikpritja.
Tani që po largoheni nga detyra e nuncit apostolik, cili është urimi juaj për popujt e Tokës Shenjte?
Problemi kryesor këtu është mungesa e paqes. Aspirata më e thellë e zemrës sime është si t’i krijojmë kushtet për paqen, duke respektuar drejtësinë, sepse nuk mund të ketë paqe pa drejtësi, pa respekt për njëri-tjetrin.







All the contents on this site are copyrighted ©.