2012-08-02 12:44:37

Komuna Bushatit përkujtoi 75-vjetorin e vdekjes së poetit dom Ndre Mjeda


Në fshatin Kukel të komunës Bushat, atje ku dom Ndre Mjeda jetoi dhe shërbeu për shumë vite komunitetit si prift famullitar, është përuruar dje shtatorja si dhe qendra muzeale në kujtim të poetit. Shtatorja e Ndre Mjedes është punuar nga skulptori Sadik Spahija. Sipas tij, ajo e risjell Mjeden po aq madhështor sa ka qenë edhe në vitet e aktivitetit të tij. Ai bëri të ditur gjithashtu që së shpejti pritet të restaurohet shtëpia muze, e cila si e tillë ka funksionuar në kohën e monizmit gjatë viteve 1963-1990. Në të do të sistemohen sendet personale të Mjedes, si materiale fotografike, shkrime studimore, botime librash, tryeza 100 vjeçare etj.
Pra 75 vjetori i vdekjes së poetit të njohur kombëtar, dom Ndre Mjeda, është përkujtuar dje me një sërë aktivitetesh të organizuara në fshatin Kukel të komunës, ku prifti e poeti Ndre Mjeda jetoi dhe kreu aktivitetin e tij kryesor meshtarak, ku morën pjese studiues dhe akademikë të njohur të universiteteve nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, nga Arqipeshkvia Shkodër-Pultit, etj.
Në konferencën shkencore kushtuar poetit Ndre Mjeda, kryetari i komunës Zef Hila, tha se "ky kremtim merr vlera të veçanta në kuadrin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, pasi Mjeda ishte një personalitet i shquar i letrave shqipe, ai ishte një figurë shumëdimensionale, ishte një filozof, teolog dhe një profesor me një spektër të gjerë".
"Ne duhet të ndihemi krenarë pasi të gjithë së bashku sot arritëm të bëjmë realitet ngritjen e Qendrës së Kulturës, "Ndre Mjeda", tha ai.
Më pas, konferencën e përshëndeti edhe drejtori i Qendrës së Studimeve Albanologjike, Ardian Marashi, i cili ndër të tjera tha se "në rikthimin e Ndre Mjedes, veprimtari që zhvillohen për të dytin vit me radhë, meritën kryesore e ka famullitari i Kuklit, Dom Nik Ukgjini, pasardhësi i Ndre Mjedes në këtë famulli, i cili në bashkëpunim me QSA-në dhe duke gjetur mbështetjen e veçantë të komunës së Bushatit, arriti që në një kohë të shkurtër të realizojë projekte interesante rreth kësaj figure".
Konferenca shkencore u zhvillua në dy seanca. Në të parën, qe u bashkëdrejtua nga studiuesit, Shefkije Islamaj, Mustafa Ibrahimi dhe Mimoza Priku, përkatësisht përfaqësues të Universiteteve të Prishtinës, Tetovës dhe "Luigj Gurakuqi" të Shkodrës, u mbajtën shtatë kumtesa. Po kaq u mbajtën edhe në seancën e dytë e cila u bashdrejtua nga studiuesit dhe akademikët, Zeqirja Neziri, Gjovalin Shkurtar dhe Begzad Baliu nga Shkupi, Tirana dhe Prishtina, duke risjellë në vëmendjen e të pranishmëve të shumtë një pjesë të madhe të jetës dhe aktivitetit të poetit dhe meshtarit, Ndre Mjeda.(nga ATSH-ja)







All the contents on this site are copyrighted ©.