2012-08-01 12:55:31

Më 1 gusht kalendari kujton shën Alfonsin de' Liguori


Sot më 1 gusht Kisha e përkujton Shën Alfonsin Maria nga Liguori. Lindi në Napoli të Italisë në vitin 1696. Meshtari shenjt e muzikanti i talentuar, autor i himnit të Krishtlindjes: "Ti zbret nga yjet", kreu me sukses studimet dhe që në moshën 19 vjeçare ushtroi profesionin e avokaturës në gjykatë. Pas një gabimi gjyqësor, bërë pa dashje, braktisi profesionin dhe vendosi të bëhet meshtar, avokat i asaj drejtësie hyjnore që është përplot me mëshirë, që shfajson çdo fajtor e fal çdo mëkat , kur njeriu pendohet e kërkon hir.
U diplomua në të drejtën civile e kishtare, u bë meshtar dhe themeloi Kongregatën e Shpërblyesit të Shenjtë (Redemptoristët) për ta shpallur ungjillin njerëzve të thjeshtë. Iu kushtua predikimit të Ungjillit për t’i dhënë gjallëri jetës së krishterë në mes të popullit. Ai përpiloi shkrime asketike dhe shkroi libra të teologjisë morale, që patën një jehonë të madhe e për çka është mbajtur si mësues. Qe apostull i kultit të Eukaristisë dhe i Virgjërës Mari.
Iu përkushtua në mënyrë veçantë e me shumë zell misioneve popullore, u kujdes për të varfërit e të sëmurët, qe mësues i shkencave morale. I zgjedhur si ipeshkëv i Shën Agatës të Gotëve pak më vonë dha dorëheqjen dhe vdiq më 1 gusht 1787 pranë të afërmve në Nour të Paganëve në Kamjani.

Shën Alfons Maria de’ Liguori: “Ti ulesh prej Parrizit”.
Në dhjetor të vitit 1754 Shën Alfons Maria de’ Liguori improvizoi në një Kishë të Nolës këngën-himn të Krishtlindjes: “Ti ulesh prej Parrizit’. E lehtë për t’u kënduar e përshtatur për mundësitë vokale të fëmijëve, të grave e të njerëzve të popullit, kjo ninullë u përhap shumë shpejt e u përkthye në gjuhë të ndryshme të botës. Është njëra nga këngët më të ëmbla të Krishtlindjes. E këtë melodi, të cilën e pëlqente shumë edhe kompozitori i famshëm italian, Gjuzepe Verdi, ne vijojmë ta këndojmë si lutje. Pa të Krishtlindja do të humbiste një element tejet tërheqës:

Ti ulesh prej Parrizit,
O Zot e Mbret lumnie,
E n’ tokë vjen me u bâ nieri
Vetëm prej dashtënie:
Aq i dashtun je për né
Sa n’ një shpellë ti vjen me lé!
O Zot i lum,
Unë s’e kam dijtë se ti ne
T’ shkretët na don kaq shumë.
Për ty, që rruzullimin,
Gjithmbarë e ke krijue,
S’janë gjetë as shtëpí, as petka
E zjarmi t’ ka mungue.
Tash asht dimën, akull, borë,
Me qindrue njashtu asht zor.
O djalë i shkretë!
Prej së ftoftit ti po dridhe,
Po dridhe e po bërtet!
O Biri i të Naltit Zot,
Ti pate gjithë lumninë,
Por deshtas e ke lanun
E kapë ke vorfëninë;
Pra pse kjanë e pse gjimon,
Kurrkush ty s’ po t’ ankon:
Ti don me m’ m’sue
Se pa durim nuk mundet
Kurrkushi me u shëlbue.
Ne disha gja, ti fshanë
E kján, o bukurí,
Përse si duhet nieri,
S’ ta din gjithë atë dashtëní;
Vesht e mora, unë i ngrati,
Se at’ mundim ta nep ty m’kati;
O m’kat i mallkue!
Por, ti, o Zot, m’ fal!
M’ fal se jam pendue!
Ti flén përmbi atë grazhd,
O i lumi djalë plot hír.
Por zemrës me marrë gjumë
I del fort punë e vështirë.
Zemra e jote pse po l’ngon?
Natë e ditë çka po mendon?
Unë tjetër s’po mendoj
Veçse me dekë për nierin,
Me dekë që ta shëlboj!
Me lé e me dekë për mue,
Dashtënia t’ ka shtërnguemun:
E vetë, pa dashtë, o Jezu,
Si mundemi me rrnuemun?
Shpresa e eme, o Virgjina Mrí,
Me dashtë Krishtin n’se nuk e dí,
Ty t’ kjosha true:
M’ m’so gjithmonë me e dashtun,
Me e dashtë e me e lavdue!
Krijim i Alfons Maria de Liguorit; përshtatur në gjuhën shqipe nga dom Ndre Mjedja. Marrë në oficen “Visari shpirtnuer”.

Benedikti XVI: Shën Alfons Maria de’ Liguori, na thërret ta shikojmë jetën me optimizëm.
Katekizmin e audiencës së përgjithshme të 30 marsit të 2011, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa Benedikti XVI ia kushtoi një figure shumë popullore: Shën Alfons Maria de’ Liguorit, dëshmitarit të ndritshëm të dashurisë së krishterë. Shenjti, themelues i Redentoristëve, që jetoi në Napoli, në shekullin XVIII, na kujton se jeta duhet parë me sy optimistë, duke besuar në burimet e së mirës, që Zoti nuk ia kursen asnjë njeriu. Më pas vuri theksin tek rëndësia e mësimit të doktrinës morale e cila, sipas Shën Alfonsit de’ Liguori, duhet shoqëruar gjithnjë me mëshirë e mirëkuptim.
“Kush lutet, shëlbohet”: Benedikti XVI kujtoi moton e Shën Alfons Maria de’ Liguorit, Shenjt i dashurisë së krishterë dhe dijetar i Kishës. Ndonëse ishte avokati më i shkëlqyer i Napolit të kohës së vet e bir i një prej familjeve më të kamura, vijoi të kujtonte Papa, e kuptoi se Zoti po e thërriste për një detyrë të re: detyrën e meshtarit ndërmjet të varfërve. Duke iu përgjigjur zërit të Zotit, ai u largua përgjithnjë nga gjykata dhe u bë avokat i mëshirës dhe i dashurisë hyjnore në gjirin e shoqërisë napolitane të fillimit të ‘700-ës. E, për ta vijuar, edhe pas tij, ugjillëzimin ndërmjet njerëzve më të përvuajtur të kësaj shoqërie, themeloi Redentoristët:
“Alfonsi arriti rezultate shumë të mira: në lagjet më të mjera të qytetit shumëfishoheshin grupet e njerëzve, që mblidheshin mbrëmjeve në shtëpi private e në dyqane, për t’u lutur e për të medituar Fjalën e Zotit, kryesuar nga disa katekistë të formuar nga don Alfonsi dhe nga meshtarë të tjerë, që i vizitonin rregullisht grupet e besimtarëve”.
Këto takime, vijoi Papa, që nisën të njiheshin me emrin “kapelat serotine”, u bënë burim i edukimit moral, duke i shëruar plagët shoqërore deri në atë masë, sa falë impenjimit të Shenjtit, në Napoli, krimet pothuajse u zhdukën fare:
“Kapelat serontine janë model veprimtarie misionare, burim frymëzimi edhe për ungjillëzimin e ri të kohëve tona, posaçërisht ndërmjet njerëzve më të varfër, si dhe për edukimin me frymën e bashkëjetesës më të drejtë, më vëllazërore e më solidare”.
Shën Alfonsi nuk u kufizua vetëm me veprimtarinë në rrugët e në skutat më të errëta të qytetit. Nisi të njihej nga afër edhe me fshatarët, duke shkelur në zonat më të braktisura të Mbretërisë së Napolit e duke iu kushtuar i tëri këtyre njerëzve, të varfër materialisht e shpirtërisht. Për vijimin e kësaj veprimtarie, themeloi Kongregatën e meshtarëve redentoristë që, shpjegoi Papa, u bënë meshtarë endacakë. Endeshin shtëpi më shtëpi e fshat më fshat, duke u bërë njerëzve thirrje për t’u kthyer në rrugën e Zotit e për të jetuar si të krishterë, posaçërisht përmes lutjes. Përveç kësaj, Shenjti iu kundërvu vizionit të zhansenistëve, sipas të cilëve Zoti është gjykatës i rreptë, që nuk të fal. Papa vuri theksin mbi mësimin e pasur të teologjisë morale, që i la trashëgim Kishës Shenjti i mëshirës e i ëmbëlsisë:
“Barinjtë e shpirtrave dhe rrëfyesit, Alfonsi i këshillonte të ishin besnikë ndaj doktrinës morale katolike, por pa harruar t’i trajtonin pendestarët me dashuri, mirëkuptim, ëmbëlsi, në mënyrë që ata ta ndjenin se kishin pranë bariun, që do t’i shoqëronte, do t’i mbështeste, do t’i inkurajonte në rrugën e fesë e të jetës së krishterë”.
Shën Alfonsi – vijoi Ati i Shenjtë – nuk lodhej kurrë duke përsëritur se meshtarët janë shenjë e dukshme e mëshirës së pakufishme të Zotit, që fal, që e ndriçon mendjen e zemrën e mëkatarit, duke i krijuar mundësinë të bëjë kthesë e të nisë udhën e një jete të re:
“Në epokën tonë, në të cilën shikojmë shenja të qarta të humbjes së vetëdijes morale e, duhet pranuar, edhe të mungesës së vlerësimit për Sakramentin e Rrëfimit, mësimi i Shën Liguorit mbetet thellësisht aktual”.
Më pas Papa nënvizoi se Shenjti napolitan pati gjithnjë në qendër të vëmendjes lutjen, adhurimin eukaristik dhe devocionin për Zojën e Bekuar. E nuk duhet harruar edhe se është autor i fjalëve dhe i muzikës së himnit të Krishtlindjes “Ti ulesh prej Parrizit”. Theksoi, në përfundim, se Shenjti redentorist mbetet shembull edhe për besimtarët e kohëve tona:
“Shën Alfons Maria de’ Liguori është shembull i bariut të zellshëm. Fitoi shumë shpirtra, duke predikuar Ungjillin e duke mbarështuar Sakramentet, përplot me mirësi, butësi, ëmbëlsi, që buronte nga lidhja e tij e thellë me Zotin, Mirësinë e pambaruar. E pa realitetin me sy optimist, i bindur se burimet e mirësisë, që Zoti i dhuron çdo njeriu, nuk shterojnë kurrë e duke e dashur Zotin me gjithë mend e me gjithë zemër”.







All the contents on this site are copyrighted ©.