2012-08-01 12:55:21

Koncili i Ilirikum në vitin 415


Kujtuam, në emisionet e kaluara të Radio Vatikanit, Koncilin I kishtar të Ilirisë, mbajtur për t’iu kundërvënë herezisë së pneumatomakëve. Por, pas dënimit të saj, jeta e Kishës në botën lindore do të vuante pasojat e çrregullimeve të tjera, që kishin të bënin, sidomos, me zgjedhjen dhe emërimin e ipeshkvijve, përcaktuar saktësisht në përfundim të Koncilit I Kishtar të Ilirisë si dhe në letrën e Valentinianit, bashkëngjitur me dokumentet e Koncilit.
Koncili II Kishtar i Ilirisë u mor kryesisht me shqyrtimin e çështjes së priftit të Korintit, Perigjeni, të cilin ipeshkvi i këtij qyteti, Aleksandri, e shuguroi në Patras. Shugurimi shkaktoi shumë trazira në jetën kishtare të vendit, sepse besimtarët nuk e pranuan ipeshkvin e ri. U desh të mblidheshin në Koncil ipeshkvijtë, për t’i dhënë fund situatës së konfliktit ndërmjet besimtarëve e prelatëve.
Kush kishte të drejtë? Pse u kundërshtua kaq energjikisht hyrja e ipeshkvit të ri në selinë e tij? Si e përligjnin besimtarët kundërshtimin e tyre? Këtyre pyetjeve do t’u jepte përgjigje Koncili, ku u njoh ndershmëria e Perigjenit. Prej këndej, etërit konciliarë i drejtuan Romës një letër, përmes së cilës deklaronin se ipeshkvi i ri ishte i denjë për selinë e tij ipeshkvnore. Natyrisht që një qëndrim i tillë nuk i kënaqi aspak kundërshtarët, të cilët i vijuan për një kohë të gjatë trazirat.
Ndërkaq Aleksandri, ipeshkvi i Korintit vdiq, e korintianët shprehën dëshirën që, në krye të Kishës së tyre të ishte Perigjeni. U kërkua miratimi i Papës Bonifaci I (518), i cili u përgjigj pozitivisht, por shqetësimet vijuan, duke thelluar mosmarrëveshjet ndërmjet Kishës së Romës e asaj të Kostandinopojës, si dhe ndërmjet vetë Papës Bonifaci e ipeshkvijve të Ilirisë. Nga një Koncil i organizuar përskaj trojeve ballkanike, doli përsëri në plan të parë problemi i pazgjidhur edhe sot e kësaj dite: ai i parisë në Kishën universale.
Thamë më sipër se ipeshkvijtë e mbledhur në Koncilin Kishtar të Korintit i drejtuan Papës një letër, përmes së cilës ankoheshin për procedurën e ndjekur në Koncil. Papa i ktheu përgjigje ipeshkvit Rufo, të cilit i qe besuar kujdesi baritor për Kishat e Maqedonisë e të Akajës, domethënë për provincat e Rufos e të Perigjenit, duke i kërkuar ta pranonte kërkesën, që i kishin drejtuar korintianët. (ep. 4, në P.L.- XX, col.760-61.Collectio Thessalonicensis 7; Regesta Pontificum Romanorum, nr. 350).
Në një letër të dytë, Bonifaci i komunikonte ipeshkvit të Selanikut se do të priste përgjigjen e tij, para se t’i shkruante personalisht Perigjenit (ep. 5,4).
Po ky problem mbeti i pazgjidhur për shumë kohë. Atëherë disa ipeshkvij të Thesalisë, të pakënaqur nga qëndrimi i Rufos dhe i Bonifacit papë, në favor të Perigjenit, iu drejtuan ipeshkvit të Kostandinopojës, Atikut e, përmes tij, Perandorit të Lindjes, Teodosit II. Ky, duke pasur parasysh se provincat e Ilirikut lindor në shekullin V i përkisnin administrativisht Perandorisë së Lindjes, shpalli një dekret, që shkaktoi një konflikt të ri, i cili ia kalonte shumë atij, që mbiu pas zgjedhjes së një ipeshkvi: ishte ndeshje e re për pari ndërmjet Romës e Kostandinopojës.
Mendohet të jetë shkruar nga Bonifaci I edhe një letër, drejtuar nëntë ipeshkvijve të Ilirikum, përmes së cilës Papa ndërhynte në mbrojtje të Feliksit, ipeshkëv i Durrësit, kundër grupit, që e akuzonte, dhe jepte porosi për forcimin e frymës vëllazërore ndërmjet prelatëve të kësaj zone të trazuar, sa në jetën politike, aq edhe në atë kishtare.







All the contents on this site are copyrighted ©.