2012-08-01 15:46:30

Kardinali Santos Abril delegat i Papës për 950 vjetorin e dioqezës së Sapës


Me rastin e kremtimit 950 vjetorit të Dioqezës së Sapës, që do të mbahet me datë 29 shtator 2012 në Katedralen kësaj Dioqeze, Ati i Shenjtë Papa Benedikti XVI ka caktuar të Deleguarin e tij të Posaçëm Hirësinë e Tij Kardinalin Santos Abril y Castelló, Kryeprifti i Bazilikës Papnore të Shën Marisë së Madhe në Romë.
Dioqeza Katolike e Sapës, e cila aktualisht e ka qendrën në Laç të Vaut të Dejës, udhëhiqet nga Sh.T. imzot Lucjan Avgustini, aktualisht edhe Zëvendës President i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë.
Gazetarët që dëshirojnë të akreditohen për ndjekjen e ceremonive të asaj dite dhe të festimeve të tjera të drejtohen në Zyrën e shtypit të Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë ose edhe direkt në Dioqezën e Sapës, pranë Katedrales së Të Lumes Nënë Tereza të Kalkutës në Laç të Vaut të Dejës.
Ndërkohë, dioqeza e lashtë shqiptare e Sapës vazhdon kremtimet për Vitin Jubilar të 950 vjetorit të themelimit të saj 1062-2012, përuruar më 5 janarin e këtij viti me kremtimin e Meshës së Shenjtë në Kishën Katedrale të së Lumes Nënë Terezë në Vau-Dejës.
Fragment nga homelia e ipeshkvit të Sapës imzot Lucjan Avgustini me rastin e përurimit të Vitit Jubilar në Katedralen e Vau-Dejës më 5 janar 2012.
“Çdo strukturë, institucion, send apo njeri e ka një zanafillë që përcakton moshën ose vjetërsinë e saj. Ndër krahasimet që zakonisht përdoren për të treguar themelimin në të kaluarën si mënyrë identifikimi në të sotmen, thonë: “jemi shumë të rinj dhe njëkohësisht të vjetër.” Epiteti “ I ri ” i atribuohet moshës së personit ose gjallërisë së tij apo të popullit që i përket, ndërsa “I vjetër” i atribuohet vendit ku banon ai dhe ku kanë banuar të parët e tij. Këto dy fjalë përshkruajnë vitalitetin dhe autoktoninë që do të thotë përshkruajnë jetën në tërësinë e plotë të saj. Kështu mund të themi edhe për jetën e Dioqezës së Sapës. Ajo është aq e re, aq sa edhe e vjetër.
Duke iu referuar të dhënave në Annuario Ponteficio, të dhënat zyrtare të Kishës Katolike në botë, atëherë viti themelimit të dioqezës së Sapës është viti 1062. Në këtë vit të bekuar të Vitit të Zotit 2012 mbushen plotë 950 vjet të themelimit të saj.
Qyteti i hershëm i Sapës është zhdukur nga faqja e dheut, kanë mbetur vetëm rrënojat e Kishës Katedrale të Shën Mihillit. Kjo për arsye të luftërave dhe pushtimeve që ka pësuar populli dhe vendi ynë. Në fillim e rrënuan tartarët rreth vitit 1240, pastaj më vonë osmanët por edhe fatkeqësitë natyrore, tërmetet. Por, selia ipeshkvnore e Sapës ka arritur të mbijetojë gjatë të gjitha vështirësive dhe ajo sot vazhdon jetën e saj, dhe po i mbush 950 vjet jete e besim në Krishtin Zot, duke i qëndruar besnik Zotit, Papës (Selisë Shenjte) dhe duke u vu në shërbim të besimtarëve për shëlbimin e shpirtrave. Kjo është Kisha e Krishtit e moçme në ekzistencën e saj dhe e re në veprim për të mirën dhe shpëtimin e njerëzimit”...
...Më lejoni, besimtarë të mi të dashur, që në këtë ditë të kujtimit të shugurimit ipeshkvnor së bashku me ju ta falënderoj të Madhin Zot për hirin që më ka dhuruar që më ka zgjedh për bari të kësaj dioqeze të Sapës, pasardhës i ipeshkvit martir Imzot Gjergj Volaj, moton e të cilit e kam zgjedhur edhe unë që të më udhëheq në punën time baritore “In virtyte Dei – Me ndihmën e Zotit” dhe që duke e kërkuar gjithmonë ndihmën dhe ndriçimin e tij këtë që po fillojmë të mundemi edhe ta kryejmë në nder dhe lavd të Madhit Zot dhe për shëlbimin e shpirtrave.
Uroj që secili duke ia filluar nga unë, meshtarët, rregulltarët dhe rregulltaret dhe i gjithë populli i Zotit të kemi një takim personal me Hyjin e mishëruar dhe ky takim të sjellë në jetë gëzim, shpresë dhe fuqinë e dëshmisë së besimit sikurse na kanë mësuar martirët dhe të parët tanë. AMEN"! Lutja e Vitit JubilarO Atë, Zotërues i qiellit dhe i tokës,
që në dashurinë tënde të pakufishme
na dhurove Birin tënd një të vetmin
të mishëruar për virtyt të Shpirtit Shenjt
në kraharorin e Virgjërës Mari,
Ty të qoftë lavdi në shekuj.

Kisha jonë Dioqezane e Sapës
po e jeton vitin e hirit të Zotit
duke kujtuar 950 vjetorin e themelimit të saj.
Me hirin tënd o Hyj i Gjithëpushtetshëm,
bëj, që ky vit jubilar,
të jetë kohë kthimi i zemrave kah Ti
duke e dëgjuar zërin e Krishtit
dhe duke zbatuar fjalën dhe mësimin e tij.

Forcoje me fuqinë e Shpirtit Shenjt
Kishën tonë Dioqezane,
pastroje prej çdo të keqeje dhe mësimeve të gabueshme,
bëj që me besim të pathyeshëm
duke ndjekur shembullin e të parëve tanë dhe martirëve
të jemi një bashkësi dhe dëshmitarë të vërtetë të fesë.

Bëj o Hyj, që gjatë këtij viti jubilar,
nën udhëheqjen dhe këshillat e Virgjërës Mari,
Nënës së Këshillit të Mirë,
shenjtërve, martirëve dhe pajtorve tanë,
të reshemi me hiret dhe bekimet tua.

Ty o Hyj i Gjithëpushtetshëm,
Krijuesi i gjithësisë dhe i njeriut,
nëpër Krishtin, zotëruesin e kohërave dhe të historisë,
në Shpirtin Shenjt, që e shenjtëron tërë gjithësinë,
të qoftë lavdi, nderi e lumturia,
sot e në shekuj të shekujve. Amen!







All the contents on this site are copyrighted ©.