2012-08-01 15:44:21

Kardinali Bertone: Lufta kundër urisë është imperativ etik për Kishën


Problemi i urisë në botë është, pa dyshim, një nga ato, që shkakton më shumë ankth në kohën tonë, kohë në të cilën progresi ka arritur lartësi të pamenduara, por duke lënë pas, në mjerim të plotë, një numër tepër të madh njerëzish. E pohon këtë sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone, në një shkrim, botuar në gazetën vatikanase “L’Osservatore Romano”. Ta zhdukësh urinë në botë, kujton bashkëpunëtori kryesor i Benediktit XVI, duke cituar Enciklikën “Caritas in veritate” në epokën e globalizimit është bërë tashmë pikësynim, që duhet pasur mirë parasysh, në se dëshirojmë të mbrojmë paqen e stabilitetin e Planetit. Mund të themi me plot gojën se ky, për Kishën universale, është imperativ etik, në përkim me mësimet e themeluesit të saj, Jezu Krishtit. Zoti kujton, në të gjitha kohët, detyrën për të qenë solidarë, sidomos me më nevojtarët, e edhe për të ndarë së bashku të mirat materiale e shpirtërore, që krijon çdo ditë epoka e progresit, pa harruar se duhet të jetë progres për të gjithë.
Në se na duket se jemi tepër të vegjël për ta zgjidhur këtë problem kaq vigan shoqëror, vijon kardinali Bertone, kishat vendase duhet të shtrëngojnë edhe më shumë radhët me Kishën universale, me veprimtarinë e saj bamirëse, që zhvillohet në të katër anët e botës, përmes bujarisë të misionarëve, të cilët vijojnë edhe sot e kësaj dite t’u shërbejnë të varfërve me guxim të pashoq, deri në dhurimin e gjakut, në emër të Krishtit.
Duhet të jemi gjithnjë solidarë, prandaj, i fton besimtarët sekretari i Shtetit të Shenjtërisë së Tij. Solidarë me veprimatrinë ungjillëzuese, që i nxit ndërgjegjet njerëzore për t’i ndarë së bashku pasuritë e tokës e për ta dashur të afërmin si vetveten. Nuk duhet të strukemi në ndonjë skutë, për t’i ngrënë vetëm pesë bukët e dy peshqit, por duhet të jemi bujarë. Vetëm kështu bujaria jonë do të arrijë deri tek froni i Zotit, që do të jetë shumë më bujar se ne.
Kardinali Bertone i porosit, pastaj, besimtarët, të rizbulojnë devocionin për Virgjërën Mari, sipas traditës së popullit të krishterë. Paraardhësit tanë, kujton, na mësuan të jetojmë pranë Marisë, të jetojmë me Marinë, duke besuar në ndërmjetësimin e saj, posaçërisht në çaste të dhimbshme të jetës, sepse ajo është nënë, Nëna e Krishtit e Nëna jonë; e fjala ‘amësi’ është gjithnjë sinonime me ‘dashuri’.
Kujtojmë se që më 23 korrik, kardinali Tarçizio Bertone është me pushime në Piemontin e tij. Do ta përfundojë këtë periudhë prehjeje, në Introd të Valle d’ Aostës, më 11 gusht.
Gjatë periudhës së fundit të korrikut, kremtoi disa meshë, ndërmjet të cilave, atë të festës së Shenjtorëve Ana e Joakini. L’Oservatore Romano kujton se kardinali e kremtoi këtë festë në shenjtëroren e Malit të Shenjtë Belmonte; ndërsa më 29 korrik ishte në Romano Kanaveze, vendlindje e tij, ku kremtoi Meshën në kryevjetorin e vdekjes së vëllait, Paolo.
Në të dyja homelitë, Hirësia e tij i ftoi besimtarët ta dëshmojnë fenë në mënyrë sa më të dukshme e të vetëdijshme. Të krishterët nuk mund të jenë të vakët, kujtoi kardinali Bertone, e duhet t’i hapin mirë sytë, për t’i parë krishterisht ngjarjet e mëdha e të vogla të jetës. Dashuria për të varfërit e armiqtë është provimi që duhet të japim, për t’u shtrënguar gjithnjë më shumë rreth Kishës.
Fjala e Zotit, pohoi në njërën nga homelitë, na fton të kemi guximin, që të ngjall dashuria e vërtetë, e cila të shtyn të flijosh pa ngurrim gjithçka për njeriun e dashur. Për të krishterin, i dashur është njeriu i familjes, është fqinji i banesës a i punës, është bashkëqytetari e bashkadhetari. Prej të krishterit priten gjeste të thjeshta, por të dlira, të përditshme, larg çdo hipokrizie, që synojnë të përhapin frymën e mirë, të shuajnë urinë e etjen, në shoqërinë e shkretuar nga thatësira e ndjenjave, ku shpesh të merret fryma, sepse mungon plotësisht flladi i dashurisë. Është një aspekt, që Papa e Kisha e kanë shumë për zemër, shtoi kardinali, sepse sjellja e çdo njeriu ndikon fuqimisht për ta bërë indin shoqëror, që na rrethon, të shëndoshë, duke krijuar një mjedis, në të cilin mund të jetohet, pa harruar kurrë turmat që kanë uri.







All the contents on this site are copyrighted ©.