2012-07-31 13:29:09

Sinodi i Sirmit (378?)


5.Sinodi i Sirmit (378?) (Mitrovica e Sremit). Një nga koncilet apo sinodet e para të Ilirikut, data e saktë e mbledhjes të të cilit nuk dihet me saktësi, në sa mendohet të jetë mbledhur rreth vitit 378, është ai i Sirmit (Mitrovica e Sremit). Kjo mbledhje e ipeshkvijve ilirikë i dha grushtin përfundimtar herezisë së Arius, duke larguar nga detyra shumë ipeshkvij arianë, menjëherë pas ediktit, shpallur nga Teodosi në shkurt të vitit 380 dhe të Koncilit II ekumenik të Kostantinopojës, në pranverën e vitit 381, pasuar nga Koncili i Akuilesë, në shtator të vitit 381.
Ndonëse pjesëmarrja ishte e paktë, ky koncil, vendimtar për masat që mori, shënonte fitoren përfundimtare mbi arianizmin në të gjitha trojet ilirike.
Në këtë Koncil morën pjesë 34 ipeshkvij të perëndimit latin, pranë të cilëve, pesë ipeshkvij të provincës Venetia e Histria. Gjatë diskutimeve, e morën fjalën tre ipeshkvij të provincave panonike (Sirmium, Siscia, Iovia) dhe vetëm një nga Dalmacia (Iader). Mungonte përfaqësuesi i Salonës, qëndrimi i të cilit ndaj arianizmit në këtë periudhë mbetet i paqartë. Pala kundërshtare përfaqësohej nga dy ipeshkvij të Ilirikut lindor, Palladius i Ratiarës (Dacia Ripensis) dhe Secundianus i Singidunum (Moesia prima). I pranishëm edhe prifti Adtalusi i Poetovisë, si përfaqësues i ipeshkvit arian Iuilianus Valens, i cili nuk ishte i pranishëm.
Koncili i largoi nga detyra të gjithë ipeshkvijtë e Ilirikut, të akuzuar për arianizëm, duke përfshirë edhe ipeshkvin Poetovio, që mungonte.
Pas largimit nga detyra të ipeshkvijve arianë, ndikimi i arianizmit mbi popullsinë e Ilirikut dalëngadalë u zhduk. Nisi, kështu, një periudhë, që premtonte lulëzim në historinë e Kishës në këto troje. Pranverë e vonë, që zgjati pak. Mbi trojet ilire, të pushtuara nga Perandoria romake, nisi të dyndej një pushtues, a më mirë të themi, shumë pushtues të rinj: barbarët, duke filluar nga ostrogotët, për të vijuar me vizigotët, që i shkelën provincat ballkanike, duke lënë pas pluhur e hi, nga vitit 380 deri në vitet 408-409.







All the contents on this site are copyrighted ©.