2012-07-31 17:51:38

Papa fillon përsëri nesër me audiencat e përgjithshme me besimtarë


Rifillojnë nesër, në Kastel Gandolfo, audiencat tradicionale të përgjithshme të së mërkurës të Papës me besimtarë e shtegtarë, që qenë pezulluar pas 27 qershorit të kaluar për t’i mundësuar pak kohë pushimi Atit të Shenjtë Jozef Ratcinger. Papa kaloi në selinë papnore në Kastel Gandolfo më 3 korrikun e kaluar, e javëve të fundit pati ndërpre çdo angazhim publik me pak përjashtime. Audiencat e përgjithshme të së mërkurës nuk janë zhvilluar gjatë kësaj periudhe. Ndërsa Papa ka kremtuar lutjen e Engjëllit të Tënzot në oborrin e Pallatit apostolik në Kastel Gandolfo. Në këtë periudhë verore Benedikti XVI ka punuar në vëllimin e tretë të veprës së tij mbi Jezusin e Nazaretit që do ti kushtohet periudhës së fëmijërisë dhe viteve të para të jetës së Jezusit.
Po kështu gjatë kësaj kohe, Papa po punon rreth fjalimeve që do t’i mbajë në Liban në gjysmën e shtatorit të ardhshëm, kur do të shkojë në Bejrut nga 14 deri më 16. Një udhëtim ky posaçërisht domethënës edhe në kuadrin e krizës siriane, Vend kufij me Libanin, e që ndikon mbi stabilitetin e mbarë rajonit.
E nesër, më 1 gusht, Benedikti XVI do të vazhdojë ciklin e katekizmit të tij mbi uratën, nis më 4 majin e vitit të kaluar.







All the contents on this site are copyrighted ©.