Ipeshkvi i Bejrutit: të krishterë e myslimanë e presin Papën me shpresën e paqes
Shtegtimi Benediktit XVI në Liban. Kryeipeshkvi i Bejrutit: Lindja e Mesme është në
pritje të Papës, lajmëtar i paqes. Vlojnë pra përgatitjet në Bejrut, për vizitën e
Benediktit XVI, që do të shkelë në trojet libaneze më 14 shtator, për t’u larguar,
pastaj, më 16 të të njëjtit muaj. E gjithë zona e pret këtë shtegtim të rëndësishëm
të Papës, që ka si qëllim kryesor dorëzimin e Nxitjes pas-sinodale për Lindjen e Mesme.
Atmosfera e pritjes ka nisur të ndjehet prej kohe, posaçërisht në Bejrutin, që vijon
të kujtojë me emocion të thellë vizitën e Gjon Palit II, në vitin 1997. Për shpresat,
që ngjall ky shtegtim në gjithë zonën e trazuar të Lindjes së Mesme, intervistuam
kryeipeshkvin maronit të Beirutit, imzot Paul Boulos Matar:
Përgjigje:
- Mbarë populli libanez, të krishterë e myslimanë, është i lumtur, që do
të mund të presë Atin e Shenjtë; e të gjithë po përgatiten për këtë ngjarje të madhe.
E duan Papën e kujtojnë vizitën e fundit të Gjon Palit II, e cila qe sukses i vërtetë.
E tani janë të lumtur që do të presin edhe Pasardhësin, sepse kanë nevojë të përforcohen
në shpresën e paqes. E kjo ka vlerë jo vetëm për Libanin, por për mbarë zonën. Të
gjithë këtu janë në ankth për çka po ndodh në Lindjen e Mesme e duan që dikush t’ua
ngjallë përsëri shpresat e zbehura se, megjithatë, do të mund të gjindet një shteg
për të dalë në rrugën e madhe të paqes. Ati i Shenjtë është njeriu-kyç, që mund të
na e japë këtë shpresë, e jo vetëm ne, popullit libanez, por të gjithë banorëve të
Lindjes së Mesme.
Pyetje: - Si po përgatitet dioqeza juaj për vizitën
papnore?
Përgjigje: - Në shumë nivele: në nivel material,
por edhe moral e psikologjik. Qeveria, së bashku me të gjithë libanezët, po kërkon
ta mbajë situatën në vend sa më të qetë e po përpiqet edhe të krijojë atmosferën e
pajtimit vëllazëror, që të mund ta presim Papën si popull i bashkuar. Vizitën e Papës
po e përgatisim edhe përmes një fushate televizive, që ka shumë mundësi të nisë në
ditët e para të gushtit. Kështu do t’i parapërgatisim të gjithë për ngjarjet e kësaj
vizite. Besoj se jemi në udhë të mbarë!
Pyetje: - Kjo vizitë është
një shenjë e rëndësishme paqeje e dialogu për të gjithë Lindjen e Mesme....
Përgjigje:
- Absolutisht! E presim Papën; presim edhe ç’do të na thotë për të ardhmen,
për miqësinë me vëllezërit myslimanë, për paqen në Lindjen e Mesme. Presim të marrim
nga Papa mesazhin përforcimit në fe e në shpresë!
Pyetje: - A shpresoni
se ky mesazh do të pritet me të njëjtën vëmendje si nga të krishterët, ashtu edhe
nga myslimanët e nga të gjithë banorët e Lindjes së Mesme?
Përgjigje:
- Jemi të sigurtë për gatishmërinë e të gjithëve në pritjen e mesazhit.
Shumica e njerëzve tanë nuk janë fondamentalistë; duan të jetojnë në paqe e në miqësi.
Besoj se mesazhi i Papës do të jetë pikërisht mesazh i paqes e i miqësisë.