2012-07-31 13:28:53

Falja e Asizit: kremtimet në bazilikën e Zojës së Engjëjve


Nesër e pasnesër, sipas traditës, Asizi, vendi i shën Françeskut e i shën Kiarës, kremton “Festën e Faljes”. Gjatë kësaj feste mund t’u jepet ndjesa e plotë besimtarëve, që plotësojnë kushtet, të cilët e kërkojnë për vete, ose për të dashurit e ndarë nga kjo botë. Kjo lidhet drejtpërsëdrejti me kërkesën që vetë shën Françesku i pati bërë Papës Onorio III, i cili miratoi dhe njohu botërisht dhuratën e Zotit për shenjtin e Asizit: atë të faljes së mëkateve për të gjithë ata, që do të pendoheshin sinqerisht e do të zotoheshin të mos i përsërisnin më. Që prej tetë shekujsh, mijëra shtegtarë vijnë çdo vit në qytetin italian për të rijetuar hirin sakramentor të “faljes”. Disa nga çastet e tjera të programit për 1 e 2 gusht, do të jenë “Pushimi i shtegtarit” dhe “koncerti i Faljes”, që do të jepet nga orkestra simfonike e Valadolidit të Spanjës. Kujtojmë se gjatë këtyre ditëve, ndjesa e plotë mund të kërkohet jo vetëm në Porciunkola të Asizit, që ndodhet brenda bazilikës së Shën Marisë së Engjëjve, por edhe në të gjitha kishat françeskane kudo në botë. Kushtet dihen: besimtarët duhet të rrëfehen, të marrin Kungimin Shenjt, të luten sipas ndjetit të Papës, të thonë “Atynën” e “Besojmën” e krishterë dhe të kryejnë një vepër të mirë, lidhur me këtë ndjesë të plotë.







All the contents on this site are copyrighted ©.