2012-07-31 13:57:45

Atë Lombardi në Boston: “t’i shërbejë fesë”, ky është misioni i Shoqërisë së Jezusit


Misioni i Shoqërisë së Jezusit është t’i shërbejë fesë: ky ishte thelbi i fjalimit, që mbajti drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, i Qendrës Televizive dhe i Radio Vatikanit, atë Federiko Lombardi, në Takimin ndërkombëtar për edukimin e ofruar nga jezuitët në shkollat e mesme, i cili po zhvillohet në Boston të SHBA-ve. Ndërhyrja e tij bie pikërisht në ditën, në të cilën e gjithë Kisha Katolike kremton festën liturgjike të shën Injacit të Lojolës, themelues i jezuitëve.
T’i shërbesh fesë, theksoi atë Lombardi, do të thotë të kesh parasysh kohën, në të cilën jetojmë, nevojën për të luftuar kundër shekullarizimit të botës perëndimore dhe domosdoshmërinë për të nxitur zbatimin e drejtësisë së Mbretërisë të shpallur nga Krishti. Sinodi i ipeshkvijve, në tetor, për ungjillëzimin e ri, Viti i Fesë, por sidomos “emergjenca edukative” për të cilën flet Papa Benedikti XVI, qenë pikat kryesore të fjalës së Atë Lombardit. Është e nevojshme - për jezuitët, por edhe për të gjithë Kishën Katolike, që merret me edukimin e rinisë – të formohen brezat e rinj me një ekuilibër të shëndetshëm ndërmjet lirisë e disiplinës. Edukimi përfaqëson armën fitimtare kundër skepticizmit dhe relativizmit, që mbretërojnë në kulturën bashkohore. Një kulturë, që ka shtruar për diskutim çështjen e raportit ndërmjet fesë e arsyes, të cilat janë mike dhe aleate, me kusht që arsyeja ta pranojë nevojën e fesë e të mos harrojë se edhe njeriut i vihet një kufi, përtej të cilit nuk mund e nuk duhet të shkojë.
Atë Lombardi kujtoi një nga çastet më të bukura pranë Atit të Shenjtë: bisedën e tij me astronautët e Stacionit Kozmik Ndërkombëtar, në orbitë rreth Tokës, që nga viti i kaluar. Gjatë 15 minutave në dispozicion, Benedikti XVI nuk mbajti asnjë fjalim, por bëri pyetje si shihej nga lart planeti, me luftrat, bukuritë e dobësitë e tij; u interesua për mundësitë e shkencës në mbrojtjen e ambientit, në shërbimin për paqen, në kontributin për të mirën e brezave të ardhshme; tregoi kuriozitet për vështrimin e njeriut, që ngrihet drejt pafundësisë së amshuar, admiron Bukurinë e Krijimit dhe kthehet në lutje.
Pasion pra, që atë Lombardi e vuri në dukje edhe duke përshkuar traditën edukative të Shoqërisë së Jezusit, e cila sheh drejt të ardhmes së komunikimit dixhital: mjet, që nuk duhet refuzuar, por duhet njohur e vlerësuar, duke u përpjekur të vihen në dukje edhe rreziqet si për shembull, ngatërrimi i lidhjes së thjeshtë në internet me miqësinë e solidaritetin e vërtetë.








All the contents on this site are copyrighted ©.