Me 30 korrik kalendari kujton shën Pjetër Krizologun
Me 30 korrik kalendari përkujton Shën Pjetër Krizologun (380-450), ipeshkëv
i Ravenës e doktor i Kishës. “O njeri, pse ke një mendim kaq të ultë për vetveten,
në sa ke qenë aq i çmueshëm për Zotin? Krijuesi yt, si t’i dhuroi bukuritë e kësaj
toke, gjeti akoma diçka tjetër që ta shtonte për të të dashur: “skaliti në ty shëmbëlltyrën
e vet”. Do të mjaftonin këto fjalë, për të kuptuar shpirtin kundrues të këtij ipeshkvi
të jashtëzakonshëm romanjol, lindur rreth vitit 380 në Imola, që asokohe thirrej Forum
Cornelii, dhe edukuar që foshnjë në fenë më të thellë kristiane. Në vitin 433
shugurohet ipeshkëv i Ravenës, personalisht nga Papa, Siksti III. Identitetin e tij
të jashtëzakonshëm e njohim nga dokumentet që janë ruajtur e që konfirmojnë kulturën
e tij të çmueshme në kohëra e në ngjarje të asaj periudhe, e sidomos përzemërsinë
e tij njerëzore e fenë e patundur në Krishtin Shëlbues e Mësues Hyjnor. Ravena në
kohën e Pjetrit është një qytet udhëkryq takimesh, kulturash, por edhe problemesh.
Nga Lindja me Pjetrin këshillohet arkimandriti Eutiki, që ishte në konflikt doktrinor
me patrikun e Kostandinopojës dhe me pjesën më të madhe të klerit rreth dy natyrave
në Jezu Krishtin. Ipeshkvi i Ravenës i përgjigjet duke e udhëzuar t’i referohet e
të pranojë vendimet e Papës, aso kohe ishte Leoni I, “përmes të cilit i lumi Pjetër
vazhdon t’i mësoi të gjithë ata që e kërkojnë të vërtetën e fesë”. Ipeshkvi e
dijetari i Kishës, Shën Pjetër Krizologu gjatë punës së tij baritore, u shqua për
veprimtari të gjithanshme: gjallëroi ungjillëzimin, luftoi kundër herezive, katekizoi
në mënyrë sistematike, ndërtoi Kisha, si atë të Shën Gjonit Ungjilltar, të Shën Apolinarit
e të Shën Gjon Pagëzuesit, predikoi me fjalë bindëse e të zjarrta Ungjillin e Krishtit.
Prej këndej iu dha atributi “Krizologu” që don me thënë “njeriu fjalartë”. Shën Pjetër
Krizologu vdiq më 30 korrik rreth vitit 451, duke lënë një trashëgimi jashtëzakonisht
të pasur: afër 180 Sermone apo Predikime të tij të famshme e një Kishë në lulëzim,
në paqe përbrenda e në bashkim me Romën dhe me kishat e tjera motra.