2012-07-30 12:08:35

Koncili i Ilirikum (375 pas Krishtit)


3. Koncili i Ilirikum i vitit 375 pas Krishtit. Ky koncil u mbajt në trojet ilirike, asokohe nën sundimin e Perandorisë romake. Mblidhte prelatët e një Kishe, që tashmë shtrihej në gjithë bregdetin e Adriatikut dhe të Jonit e deri në thellësi të trojeve lindore, duke arritur në Danub e në detin Egje. Ishin trojet klasike, në të cilat ndesheshin interesat ndërmjet Romës së vjetër e asaj të Re.
Koncili i Ilirisë, që u mblodh në vitin 375, nën perandorin Valentiniani (321-375) u drejtoi të gjitha Kishave lindore një letër, përmes së cilës dënonte ashpër herezinë e pneumatomakëve. Ishte fjala për një rrymë heretike mendimi mbi misterin e Trinisë, që u përhap posaçërisht në Kishat lindore gjatë shekullit IV. Të gjitha Kishat, që pranuan Besojmën niçeane e konsideruan heretike.
Sipas pneumatomakëve, Shpirti Shenjt nuk është Vetja e tretë e Trinisë, sepse nuk e ka të njëjtin dinjitet hyjnor me Atin e me Birin. Ata mendonin se Shpirti Shenjt, i krijuar nga Hyji, më i lartë se Engjëjt, nuk është i njëgjëjtë me Atin, por i varur nga Ati e nga Biri. Pneumatomakia u njoh edhe me emrin Maqedonizëm, sepse një nga përhapësit e saj të parë ishte Maqedoni i Kostantinopojës, ipeshkëv, që jetoi rreth viteve 360 e që më parë kishte ndjekur me zell të madh mendimin kristologjik arian.
Koncili ngarkoi, pastaj, meshtarin Elpidi, për ta çuar letrën në të gjitha vendet e Lindjes, për të studiuar kushtet, në të cilat jetohej feja në këto vende dhe për të përhapur kudo të vërtetat ungjillore. Përcaktoi edhe normat e parimet, që duheshin respektuar në zgjedhjen e ipeshkvijve, të priftërinjve e të diakonëve. Porositi të zgjidheshin ndërmjet anëtarëve të klerit ose të gjykatësve, që kishin një pozitë më të lartë e që njiheshin për ndershmërinë e tyre. Përjashtoheshin nga ky rregull, ushtarakët e nëpunësit shtetëror, që mund të korruptoheshin më lehtë. Vendimet e Koncilit u ratifikuan nga Perandori Valentiniani, i cili i shoqëroi me letrën personale, drejtuar ipeshkvijve të Azisë, ku përshkruante mësimet themelore të doktrinës së krishterë, duke shtuar se besimtarët lindorë dhe ipeshkvijtë nuk duhet ta përligjnin qëndrimin e tyre mbi pohimin se ndiqnin fenë e perandorit Valenti (328-378), mbrojtës i Arianëve, ndërsa Valentiniani ishte kundërshtar i tyre e mbrojtës i ortodoksisë1, domethënë i fesë së vërtetë. Një përligjje e tillë nuk ishte tjetër, veçse shpërdorim i autoritetit perandorak e, sidomos, mospranim i porosisë ungjillore: “Jepini Cezarit çka i përket Cezarit, e Hyjit jepini çka i përket Hyjit”(Lk 20,25).
Në këtë letër, megjithëse kundër Valentit, pas emrit të Valentinianit, shënohej edhe emri i tij e ai i Gracianit, sipas dokeve të perandorëve romakë, për të kujtuar në aktet publike, dhe kolegët tyre të perandorisë.
Teodoreti i Çiros (393-457) dëshmon se ky Koncil u mblodh pas emërimit të Shën Ambrozit në krye të selisë së Milanos (dhjetor 374).
Dihet historikisht edhe se Valentiniani e kaloi verën e vjeshtën e vitit 375 në Iliri, gjë që vërteton se ishte tejet i interesuar për punimet e këtij Koncili, që u mbajt në praninë e tij. E kjo, sepse vendimet e Koncileve ndikonin fuqimisht në vetë ushtrimin e pushtetit perandorak bizantin, njëkohësisht edhe pushtet kishtar. Prandaj Kisha Katolike në Ilirikum do t’i ndjente fort të gjitha pasojat e mosmarrëveshjeve juridike e doktrinore ndërmjet Romës e Kostantinopojës. Megjithëse mbi trojet ilirike do të dyndeshin njëri pas tjetrit fiset barbare, ndërmjet të cilëve, sllavët, hierarkia e Kishës katolike, tashmë e përforcuar, do të vijonte t’i përballonte vështirësitë e këtyre kohëve të ndërlikuara, gjithnjë besnike e Selisë Apostolike të Romës.
Kohë të largëta e të mugëta, këto në të cilat u mbajtën Koncilet kishtare të Ilirisë. Pak të dhëna arritën deri në ditën tona, nga një vend që u dogj e u poq në rrjedhë shekujsh, i shkelur nga këmbë barbare. E megjithatë, diçka mbeti. Këtë po mundohemi ta kërkojmë e ta ruajmë, përmes këtyre emisioneve.
1 Fjala "ortodoksi" vjen nga greqishtja όρθος, "i drejtë", "korrekt" e δόξα, "opinion", "doktrinë". Mund të përdoret me kuptime të ndryshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.