2012-07-28 18:06:33

Java e lutjes për bashkimin e të krishterëve. Autorë të tekstit ndihmës janë studentët indianë.


Vjen nga India, materiali ndihmës i Javës së ardhshme të lutjes për bashkimin e të krishterëve, që do të kremtohet në janarin e vitit 2013. Çdo vit materiali ndihmës, që shoqëron këtë nismë, filluar në vitin 1908, i besohet një grupi ekumenik, për të sjellë, kështu, përvojën e vendeve të ndryshme të botës. Sivjet iu besua Indisë. Për ta realizuar, u impenjua Lëvizja studenteske e krishterë e gjithë Indisë, e mbështetur, për variantin përfundimtar, nga Komisioni ndërkombëtar, emëruar nga Komisioni Fe e Kushtetutë i Këshillit Ekumenik të Kishave dhe nga Këshilli Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve.
Dënimi i fuqishëm i sistemit të kastave, britma e dhimbjes së dalitëve, të përjashtuarve, një pjesë e mirë e të cilëve janë të krishterë, por edhe persekutimi kundër të krishterëve e pakicave fetare: janë këto argumentet kryesore, që pasqyron materiali ndihmës, i cili do të shoqërojë reflektimin dhe lutjen gjatë Javës së ardhshme të lutjes për bashkimin e të krishterëve, parashikuar për janarin 2013, hartuar nga studentët e krishterë të Indisë. Tema është tejet e rëndësishme për shoqërinë indiane, ku të krishterët përbëjnë 3,5% të popullsisë e ku liria fetare, ndonëse e sanksionuar nga Kushtetuta, nuk respektohet gjithnjë. Në këto rrethana, Kisha luan një rol delikat: punon për krijimin e kulturës së dialogut e të harmonisë me gjithë shoqërinë, siç na e kujton imzot Feliks Machado, ipeshkëv i Vasai:
“Qeveria u siguron privilegje të gjithë dalitëve, përveç atyre që janë të krishterë, ose myslimanë. Më duket padrejtësi e prandaj Kisha nuk lodhet kurrë së protestuari, duke kërkuar që asnjë fe në Indi të mos jetë më e favorizuar se të tjerat”.
Teksti ndalohet edhe tek kuptimi i praktikës së drejtësisë, duke i ftuar të krishterët të reflektojnë në vëllazëri për të e për kërkimin e mirësisë e të jetës së përvuajtur, në shtegtimin e kësaj jete, kah Zoti. Meditimet e përdishme të Javës së lutjes, ngrihen mbi metaforën e njeriut që shtegton, duke i bërë vetes atë pyetje, që vijon ta bëjë Mikea Profet nga faqet e Shkrimit Shenjt: “Ç’kërkon Zoti nga ne?”. Ja si i përgjigjet kësaj pyetjeje, imzot Machado:
“Është temë, që nuk kufizohet vetëm në Indi. Në mbarë shoqërinë tonë shikojmë njerëz të përjashtuar nga radhët e shoqërisë, të nënvleftësuar politikisht e ekonomikisht, të shfrytëzuar edhe në fushën kulturore. Në se në Indi shumë kush sillet kështu me dalitët, mendoj se Kisha duhet të ecë në rrugën e drejtësisë, të përvujtërisë, siç shkruhet në tekst, e të jetë solidare me ta e me të gjithë njerëzit që shtypen e mohohen padrejtësisht”.
Në hartimin e variantit të parë të tekstit bashkëpunuan edhe anëtarët e Lëvizjes studentore kristiane të Indisë, lëvizja më e lashtë në vend, që pikërisht më 2013 feston një shekull jete e veprimtarie. Na flet, për këtë përvojë, Aruna Gnanadason, ish-koordinatore e Komisionit të Drejtësisë, Paqes e Krijimit, pranë Këshillit Botëror të Kishave, në Gjenevë, që bashkëpunoi me lëvizjen e studentëve në hartimin e materialit ndihmës:
“Punuam në një grup ekumenik, të përbërë nga studentë, të cilët marrin pjesë në lëvizjen e krishterë e studiojnë në universitetet katolike të Federatës indiane. Të punosh me të rinjtë e të dëgjosh historitë e tyre, është përvojë shumë interesante e prekëse. Në Indi nuk është e lehtë të jesh i krishterë. Mjafton të kujtosh se përfaqëson vetëm 3,5% të popullsisë. Këto janë rrethanat, në të cilat jetojmë. Tejet të vështira, por shumë nxitëse, sepse, në një farë mënyre, i ngjajnë vetë jetës së Krishtit, që na bën thirrje të pajtohemi me bashkësitë e tjera, të jetojmë paqësisht së bashku, në solidaritet, pa shkelur mbi jetën, fatet, ëndrrat e askujt, por, përkundrazi, duke dhënë ndihmesën për t’i realizuar”.

Me këtë frymë, do të kremtohet Java e ardhshme e lutjes për bashkimin e të krishterëve. Kremtimi i përvitshëm i kësaj Jave, na kujton detyrën urgjente të rivendosjes së unitetit ndërmjet gjithë ndjekësve të Krishtit dhe propozon, në liturgjitë e përditshme, lutje pendimi, uratë për t’i lypur Zotit dhuratën e bashkimit, lavde e falënderim, drejtuar Hyjit, për cakun ku ka arritur sot ekumenizmi, e sidomos, për ardhmërinë e tij, bashkimin e plotë e të dukshëm.
Një nga qendrat e kremtimeve ekumenike në Romë, sipas traditës, është Bazilika romake e Shën Marisë në Rrugën Lata, seli e Qendrës Eukaristike Ekumenike të Motrave Bija të Kishës. Këtu do të kremtohen çdo ditë liturgji të riteve të ndryshme katolike lindore, me pjesëmarrjen e Kolegjeve Papnore të Romës.
Takimi i fundit është ai i solemnitetit të Kthimit të Shën Palit. Papa e përfundon çdo vit Javën e lutjes për bashkimin e të krishterëve, duke kremtuar Lutjet mbrëmësore në Bazilikën romake të Apostullit të Popujve jashtë Mureve, ku kryeson lutjet për t’i lypur Zotit dhuratën e bashkimit të plotë ndërmjet dishepujve të Krishtit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.