2012-07-27 15:21:06

Mesazh i dikasterit të Emigrantëve për Ditën Botërore të Turizmit: të kujdesemi për ambientin dhe për energjinë


Më 27 shtatorin e ardhshëm kremtohet Dita Botërore e Turizmit, e cila sivjet ka si temë “Turizmi dhe qëndrueshmëria energjitike: nxitës të zhvillimit”. Me këtë rast, Këshilli Papnor i Baritorisë për Emigrantët dhe Endacakët, publikoi javën e kaluar një mesazh, nënshkruar nga kryetari i dikasterit, kardinali Antonio Maria Veljò.
Selia e Shenjtë e konsideron këtë Ditë, në të cilën merr pjesë që nga themelimi, në vitin 1979, mundësi për të dialoguar me botën, duke ofruar kontributin e saj, bazuar në Ungjillin e Krishtit. Energjia është në qendër të reflektimeve të këtij viti, i cili i është kushtuar nga OKB-ja pikërisht mundësisë për t’i furnizuar të gjithë me një energji, prodhimi i së cilës të mos e shkatërrojë ambientin, por përkundrazi ta ndihmojë atë.
Prandaj, mesazhi i Selisë së Shenjtë përqendrohet në ndikimin e turizmit mbi ambientin, sidomos përsa i përket konsumit të burimeve energjitike dhe rritjes së ndotjes. Duke pasur parasysh se në botë, sasia e energjisë nuk është pa fund, dokumenti kërkon ndryshimin e mendësisë e të mënyrës së jetesës. Ky kthim mendjesh e zemrash, nënvizohet në të, duhet t’i çojë të gjithë njerëzit drejt artit të bashkëjetesës, që respekton alenacën ndërmjet njeriut e natyrës. Shoqëria e sotme, e përqendruar mbi konsumin, krijon indiferencë për dëmet që ai lë pas, denoncon Këshilli Papnor për Emigrantët e Endacakët. Mbrojtja e ambientit është jo vetëm sfidë për krejt njerëzimin, por edhe detyrë e rëndësishme për të mirën e përbashkët.







All the contents on this site are copyrighted ©.