2012-07-27 14:17:55

Masakra e Selanikut, që u dha fund Olimpiadave të lashtësisë


Në Thesalonik (Selanik), në vitin 390, popullsia ngriti krye kundër paudhësive të guvernatorit vendas, Boterikut. Pas këtij rebelimi, e pikërisht në verën e vitit 390, Perandori Teodosi organizoi shfaqje cirku, me qëllim që të mblidhte një turmë sa më të madhe të pabindurish. Sapo u mblodhën në stadium, ushtarët e tij u sulën kundër qytetarëve të pambrojtur dhe mbytën më se shtatëmijë vetë, pa bërë kurrfarë dallimi ndërmjet atyre, që binin nën tehun e shpatës. Kjo plojë mbeti e pashlyeshme në kujtesën e historisë njerëzore. Si u përhap lajmi tragjik, Shën Ambrozi, ipeshkëv i Milanos, asokohe përkohësisht kryeqytet i Perandorisë, e shkishëroi perandorin Teodosi dhe e ftoi të bënte pendesë, si Mbreti David i Besëlidhjes së Vjetër. E për këtë dëshmon letra extra collectionem 11(Maur. 51) e Ambrozit, e edhe homelia e mbajtur në vdekjen e Teodosit. Perandori e pranoi qortimin e Ambrozit e, si hoqi petkat perandorake, shkoi në Kishë ku, i gjunjëzuar, qau për mëkatin e vet.
Po më shumë se perandori i mbytur në lot, në kujtesën historike të njerëzimit mbetën 7000 njerëzit e masakruar dhe arena e shndërruar në liqen gjaku.Nuk do të ishte hera e fundit që në pistat e lojërave do të derdhej gjak i pafajshëm atletësh paqësorë.







All the contents on this site are copyrighted ©.