2012-07-26 13:25:51

Çelësi i fjalëve të Kishës: seksualiteti sipas Shkrimeve të Shenjta


Jo më larg se dje, ju folëm për Enciklikën e Papës Pali VI ”Humanae Vitae”, në 44-vjetorin e këtij dokumenti të rëndësishëm, i cili ka në qendër dinjitetin e njeriut, që nga zënia, përshkon mendimin e Kishës Katolike për dashurinë bashkëshortore e seksualitetin, duke i vendosur në këndvështrimin e drejtë të dhuratës, që dy njerëz i bëjnë njëri-tjetrit, pa i konsideruar thjesht si akt. Menduam të thellohemi më tepër në këto argumente e sot, po ju propozojmë një reflektim për ”seksualitetin” sipas Shkrimeve të Shenjta.

”Hyji krijoi njeriun në përngjasimin e vet, e krijoi në përngjasimin e Hyjit; i krijoi mashkull e femër” (Zan 1,27). Në Librin e Zanafillës, në tregimin për krijimin e burrit e të gruas, fakti që ata janë mashkull e femër, pra të ndryshëm seksualisht, interpretohet nga teologët si pjesëmarrje në aktin krijues të Zotit. Pra, “përngjasim” i Zotit nuk është vetëm mashkulli, siç thotë tradita judaike, e përmendur edhe nga shën Pali Apostull(1 Kor 11,7), por “përngjasime” të Zotit janë si burri, ashtu edhe gruaja, në marrëdhëniet e tyre të dashurisë, që ekzaltohen në faqen e mëpasme të Librit të Zanafillës.
Pikërisht në kapitullin e dytë kujtohet se “ata janë një trup i vetëm” (2,24) e jo vetëm kaq. Kanë një identitet të përbashkët njerëzor: “Kjo është ashti i eshtrave të mi” thotë burri për gruan, “është mishi i mishit tim”(2,23). Janë “një trup i vetëm” edhe në aktin seksual e në bashkimin e jetës e të dashurisë. Në këtë dritë, dëshira e ndërsjelltë për ta pasur njëri-tjetrin është “dhuratë e bukur e Zotit”, siç do të theksohet në traditën mesjetare të krishterë. Jemi pra larg këndvështrimit spiritualist grek, që e konsideron trupin si peshë të rëndë për shpirtin e si pasojë, edhe akti seksual shihet si diçka e ulët, koncept, që do të gjejë disi vend edhe në historinë e krishterimit.
Mjafton të lexojmë për këtë Këngën e Këngëve (kap. 4; 5; 7), ku seksualiteti paraqitet me të gjithë forcën e vet, por i shndritur nga bukuria dhe ëmbëlsia e pavarësisht se për seksin flitet si për një realitet kafshëror dhe instinktiv, i shtohet atij erosi, cilësi njerëzore, ku përfshihen ndjenjat dhe hijeshia. Vërtet, gruaja e Këngës së Këngëve na mëson: “I dashuri im më përket mua dhe unë vetëm atij…I përkas të dashurit tim, i dashuri im vetëm mua” (2,16; 6,3). Pra, është dashuria ajo që e shndërron seksin dhe erosin në dhurim të plotë të njëri-tjetrit.
Është kjo arsyeja, për të cilën martesa kthehet në një simbol të jashtëzakonshëm për të folur për Zotin. Popujt përreth Izraelit, kananejtë, i kuptonin zotat e tyre vetëm nëpërmjet seksit, të cilin e kishin ngritur në një piedestal nga ku e rrëzuan, pa dyshim, profetët. Ata shpjegojnë në Bibël se pikërisht dashuria e çiftit e jeta e tij janë shenja, që flasin për dashurinë e Zotit për njerëzimin, po ashtu si tradhëtia e bashkëshortëve bëhet simbol i pabesisë sonë ndaj Hyjit (Os 1-3; Ez 16). Krishti e përforcon edhe më tej këtë moral seksual, duke kërkuar që martesa të jetë e pandashme, manifestim i dashurisë së plotë e gjithëpërfshirëse, madje, mister, që tregon lidhjet e Krishtit me Kishën, nusen e tij, siç thotë shën Pali Apostull në Letrën drejtuar Efesianëve, ‘Për këtë arsye njeriu do ta lërë babain dhe nënën e do të jetojë bashkë me gruan e vet e të dy do të jenë një trup i vetëm.’ Ky është mister i madh: e kam fjalën në lidhjen e Krishtit me Kishën”(5,31-32).








All the contents on this site are copyrighted ©.