Müller u bën thirrje ‘disidentëve’, për më shumë bashkim
Mendimi i prefektit të ri të Kongregatës për doktrinën e fesë, në një intervistë dhënë
Süddeutsche Zeitung, përfshin edhe thirrjen drejtuar lefebvrianëve për ta njohur Koncilin
II të Vatikanit.
Prefekti i ri i Kongregatës për doktrinën e fesë, Gerhard
Ludwig Müller, i nxit meshtarët disidentë ta dëshmojnë bindjen ndaj Kishës katolike. Ata
promovojnë një figurë të Kishës, që niset nga teza se njerëzit mund ta krijojnë këtë
Kishë sipas shijeve të tyre dhe frymës aktuale të kohëve. Po kjo nuk pajtohet me fenë
katolike, thekson Müller, në intervistën dhënë gazetës gjermane Süddeutsche Zeitung. Nuk
është fjala për t’u kërkuar meshtarëve të binden verbërisht, sqaron, por ta dëgjojnë
në mënyrë të arsyeshme Fjalën e Zotit, t’i njohin mësimet e Kishës e të jenë në gjendje
të ballafaqohen me shpirtin e kohës: nuk mund të mohohen tensionet, e unë i njoh mirë
vështirësitë baritore, që fshihen pas nismave të tilla, shpjegon, por përgjigjja nuk
mund të jetë: “t’i nënshtrohemi, pa shumë fjalë shpirtit të kohës”. Müller kujton
“Thirrjen për mosbindje”, bërë ndërmjet tjerash, nga meshtari austriak Helmut Schüller
dhe nënshkruar nga më se 400 meshtarë, në të cilën, për shembull, kërkohet t’u jepet
kungimi të divorcuarve të rimartuar. Pikërisht mbi këtë çështje Müller le të kuptohet
se mund të përfytyrohen zgjidhje individuale. Në intervistën dhënë gazetës së Münihut
të Bavarisë, ish-ipeshkvi i Regensburgut nuk ua kursen kritikën as lefevbrianëve.
“Bëhesh pjesëtarë i Kishës katolike, kur plotëson disa kërkesa të caktuara, mbi të
gjitha, orientimin drejt Shkrimit Shenjt, traditës e magjisterit të Kishës” shkruan. “Kush
pranon vetëm një pjesë të këtyre kërkesave, krijon një farë distance me Kishën, edhe
në se dëshiron ta quajë veten katolik”, sqaron. Në se lefebvrianët duan t’i japin
fund kësaj ndarjeje, duhet ta dinë mirë se pranimi i “Koncilit II të Vatikanit është
i detyrueshëm”. Mund të diskutohet për deklaratën mbi marrëdhëniet me mjetet e
komunikimit, por pohimet që kanë të bëjnë me hebrenjtë, me lirinë e fesë, me të drejtat
e njeriut, kanë ngjyrime dogmatike. Nuk mund të refuzohen, pa paragjykuar vetë Fenë
Katolike. Varianti, sipas të cilit Papa do të dëshironte të merrej vesh me lefebvrianët,
por Kongregata për Doktrinën e fesë jo, nuk ka të bëjë fare me realitetin, saktëson
Müller. Në se marrëdhëniet janë prishur përfundimisht apo jo, kjo mund të thuhet vetëm
kur të arrihet në një deklaratë zyrtare të lefebviranëve, shton. Müller ndalet
edhe tek tema e shpërdorimeve seksuale. Parimi i ndjekur nga Kisha është tejet i qartë:
“dhuna seksuale është krim e mëkat, aq më tepër kur kryhet kundër fëmijëve”. Besimi
i humbur mund të rifitohet vetëm me vendosmëri e qartësi. Fajtorët duhet të përgjigjen
për krimin e kryer para gjykatës shekullare e, vetëm më pas, ipeshkvijtë dhe Kongregata
për Doktrinën e Fesë mund të vendosin në se fajtori mund të merret ose jo me ndihmë
shpirtërore, natyrisht, sipas direktivave të mirëpërcaktuara. Këtu nuk është fjala
për ndihmën e zakonshme shpirtërore, që jep meshtari, por për ndihmë shpirtërore të
kufizuar. “Ne nuk fshehim asgjë, nuk minimizojmë asgjë”: nuk ka asnjë organizatë
të ngjashme, e cila punon me të rinjtë, që të jetë treguar e gatshme për ta përballuar
në mënyrë kaq të rreptë këtë temë, pohon. Problemi është se prifti fajtor identifikohet
menjëherë me gjithë Kishën, e kjo na shtyn doemos të mbrohemi, përderisa nga një rast
i veçantë, dyshimi peshon rëndë mbi të gjithë meshtarët. Kisha, shpjegon prefekti
i ri, nuk duhet të përqendrohet vetëm tek katolikët e bindur, duke i lënë fare mënjanë
të tjerët: ky nuk është opcion, ne nuk duam e nuk mund të jemi Kishë e elitës. Vështirë
të durohet një Kishë, ku do të mund të bënin pjesë vetëm të bindurit 150%, duke përjashtuar
fare mëkatarët: të fortë e të ligësht në fe, kanë gjithnjë vendin e tyre në shtëpinë
e Zotit, prandaj Kisha është e hapur edhe për ata, që dyshojnë. Në intervistën,
e cila zë krejt faqen e dytë të Süddeutsche Zeitung, Müller sqaron, më pas, se detyra
kryesore e Kongregatës nuk është të kontrollojë ipeshkvijtë teologë, por të japë ndihmesën
për përparimin e fesë katolike e të flasë gjithnjë për aspekte pozitive të fesë; vetëm
më pas, ta mbrojë fenë nga interpretimet e gabuara e reduktimet. Kisha Katolike,
kujton, ka nevojë për orientime të ndryshme mendimi. Por një liri e tillë nuk duhet
parë kurrë si liri për të bërë sipas qejfit, saktëson. Së fundi, një shigjetë drejtuar
teologëve gjermanë, që “tepër shpesh merren me tema të dorës së dytë”.