2012-07-26 13:26:05

Kuriozitete për Olimpiadat: Flaka olimpike


Flaka olimpike mbartet me vravashkën olimpike, apo pishtarin olimpik e vijon të digjet gjatë gjithë kohës së zhvillimit të Lojërave Olimpike, në mangallin olimpik, që njihet me emrin ‘tripod’. Flaka është simboli kryesor i Lojërave Olimpike. Zanafilla e saj vjen në kohët tona nga Greqia e lashtë, ku zjarri rrinte i ndezur gjatë gjithë periudhës së kremtimit të Olimpiadave të para. Nisi të ndizej përsëri në Lojërat Olimpike të vitit 1928 e, që asokohe, bën pjesë në ceremonitë e Olimpiadave moderne.
Duhen dalluar zjarri (flaka), nga pishtari, që përmes një stafete, i sillet rrotull botës, e edhe nga mangalli (tripodi), që e mban flakën gjallë gjatë gjithë zhvillimit të garave. Ai që e mbart Pishtarin olimpik quhet ‘tedofor’, mbartës i ‘tedës’, pishtarit kremtor.
Aktualisht Flaka Olimpike ndizet disa muaj para hapjes së Lojërave Olimpike, në vendin e Olimpiadave të lashta, në Olimpia të Greqisë. Njëmbëdhjetë aktore, që luajnë rolin e priftëreshave antike, e ndezin flakën, duke vënë një pishtar brenda një pasqyre parabolike konkave, që përqendron rrezet e diellit.
Më pas, Pishtari mbartet në qytetin që do të mikpresë Lojërat Olimpike me një stafetë të formuar nga tedoforët. Shtegtimi i pishtarit quhet, në anglisht, “torch relay”. Sipas traditës, flaka mbartet në këmbë, por mund të përdoren edhe mjete të tjera transporti. Ndërmjet tedoforëve shpesh ndeshen edhe atletë të famshëm e personalitete të shquara, por në shumicën e rasteve flakëmbajtësit janë njerëz të thjeshtë.
Stafeta e Pishtarit përfundon ditën e ceremonisë së hapjes, në stadiumin kryesor të lojërave. Tedofori i fundmë shpesh mbahet sekret deri në çastin e mbramë e, zakonisht, është një nga sportistët më të famshënm të kombit mikpritës. Tedofori i fundmë e përdor pishtarin për të ndezur flakën në mangallin, që zakonisht vendoset pranë stadiumit olimpik. Ky zjarr flakëron gjatë gjithë kohës së Lojërave Olimpike e shuhet vetëm pas përfundimit të kremtimeve.
Për grekët e lashtë zjarri kishte prejardhje hyjnore. Besohej se ishte Prometeu ai, që ua vodhi perëndive pagane, për t’ua dhuruar njerëzve. Prej këndej, zjarri rrinte gjithnjë ndezur edhe në shumë tempuj, sidomos në tempullin e Esties mbi Olimp.
Gjatë zhvillimit të lojërave olimpike, që organizoheshin për nder të Zeusit, në tempullin e tij e të së shoqes, Herës, ndizeshin zjarre të reja. E edhe sot e kësaj dite flaka olimpike ndizet pikërisht në atë vend, ku dikur lartohej tempulli i Herës.

Një tjetër kuriozitet: Pishtari i nuk do të mbahet vetëm nga të huajt. Enkeleda Berisha hyn në histori si shqiptarja e parë që mban pishtarin e flakës , miratuar pas procedurash mjaft të shtrënguara nga organizatorët e “ Londër 2012”, që fillojnë nesër.
Ajo është tetraplegjike dhe jeton në karrige me rrota, ndërsa ka 8 vjet që banon në Londër. Kanë qenë kolegët dhe miqtë që kanë bërë fushatë për Enkeledën, për kontributin e saj të shquar dhe të veçantë, që ajo të bëhet mbajtesja e pishtarit olimpik të mbërritur në Britani nga Greqia më 18 maj.
(Marrë nga /albeu.com)








All the contents on this site are copyrighted ©.