2012-07-26 15:00:54

Kardinali Komastri: familjet e krishtera të jenë dëshmitare të misterit të Zotit, që është dashuri


Përsa i përket figurës së prindërve të shën Marisë, ia drejtuam mikrofonin kardinalit Anxhelo Komastri, i cili kremtoi sot në orën 12.00, meshën në kishën e shën Anës në Vatikan:
Ungjijtë janë shumë të përkorë. Nuk flasin aspak për prindërit e Marisë. Si mund të marrim vesh diçka për ta? Po duke parë të bijën, natyrisht, nga e cila mund të kuptojmë mënyrën e jetesës së Joakinit e të Anës. Të fillojmë nga “Po”-ja e Lajmërimit të Zojës. Si ia doli Maria t’i besonte verbërisht Zotit? Ia doli, sepse në shtëpi ishte mësuar ta vinte Hyjin në plan të parë. “Po”-ja e saj është fryt i atmosferës në familje dhe i fesë, që i kishin përçuar Joakini e Ana. Jo vetëm kaq! “Magnificat”-i, kënga që Maria i larton Hyjit, është plot me citime biblike, me të cilat Zoja dëshmon se e njihte Shkrimin e Shenjtë, pavarësisht se ishte tepër e re.
Gjatë meshës së sotme, ju u lutët për të gjitha nënat e botës. Pse?
Sepse sot është e nevojshme dhe urgjente të rizbulohet rëndësia edukative e nënës. Klemonsò, burrë i madh shteti, francez, i cili nuk ishte ndonjë besimtar i madh, pati thënë dikur: “Popujt formohen mbi gjunjët e nënës”. Kjo vlen për formimin njerëzor, por edhe më tepër, për formimin fetar. Të mendojmë për Papën Gjoni XXIII: kujtimi i parë i fëmijërisë së tij ishte marian, përçuar nga e ëma, e cila, duke e shoqëruar Angjelin Ronkalin e vogël në shenjtëroren e Zojës, i tregoi me gisht: “A e shikon Zojën? Është nëna jote”. Çfarë fuqie edukative ka nëna! Prandaj duhet të lutemi që nënat ta rizbulojnë këtë mision të madh e të pazëvendësueshëm.








All the contents on this site are copyrighted ©.