2012-07-25 13:01:13

Ngushëllimet e Papës për vdekjen e disidentit kuban Osvaldo Pajà


Zoti u dhashtë ngushëllim e forcë atyre, që, në këto orë trishtimi, vajtojnë për humbjen e jashtëzakonshme të Osvaldo Pajà Sardinjas: kështu shkruan Papa në telegramin për vdekjen e papritur të disidentit të njohur kuban. Telegrami nënshkruhet nga zëvendës Sekretari i Shtetit të Vatikanit, imzot Anxhelo Beçu dhe i referohet aksidentit automobilistik të së dielës, në të cilin humbi jetën edhe një kundërshtar tjetër i regjimit kuban. Mesazhi i Benediktit XVI u lexua gjatë funeralit, që u kremtua dje në kryeqytet, nga kryeipeshkvi i Havanës, kardinali Ortega.
Gjatë homelisë, ai kujtoi se Pajà e pati kërkuar gjithnjë në fenë e krishterë, frymëzimin për impenjimin e tij politik. Vërtet, pati kryesuar, me përkushtim të veçantë, Lëvizjen e Krishterë për Çlirim. “Duam drejtësi për tim atë”, tha gjatë meshës e bija, Rosa Maria, e cila i përforcoi dyshimet për vërtetësinë e variantit qeveritar mbi vdekjen e Osvaldo Pajà. Sipas regjimit, makina e disidentit u përplas me një pemë, ndërsa flitet se aksidenti është shkaktuar nga një kamion i paidentifikuar.
Pas funeralit të djeshëm, pati incidente e arrestime, për shkak të ndeshjeve ndërmjet grupit, që i bënte homazhe disidentit e atij, që hidhte parrulla për regjimin. Rreth 50 vetë përfunduan në polici, por shumë prej tyre u liruan pas disa orësh. Në meshë morën pjesë eksponentë të njohur të opozitës. Ndërmjet tyre, “Damat me të Bardha”, impenjuar në luftën për lirimin e të burgosurve politikë. “Bashkim” është fjala kryesore, që karakterizoi thirrjet e djeshme të opozitës.







All the contents on this site are copyrighted ©.