2012-07-25 15:02:04

Koncili kishtar i Kalçedonisë


Vazhdojmë të flasim për Koncilet e para kishtare gjatë historisë. Sot flasim mbi Koncilin Kishtar mbajtur në Kalçedoni në vitin 451 pas Krishtit. Kalçedoni quhet një vend i largët. E dini ku ndodhet? A më mirë, ku ndodhej? Sepse sot është zhdukur e në vend të tij ngrihet Kadikoj, një nga lagjet e njohura të Stambollit. Jemi, pra, akoma, në Turqinë e sotme, ashtu siç ishim gjatë tre koncileve të mëparshme: atij të Nikesë (325), të Kostandinopojës (381) dhe të Efezit(431).
Sot nga Kalçedonia e krishterë nuk ka mbetur asnjë gjurmë. Mbetet në kujtesën e historisë vetëm si seli e Koncilit IV Ekumenik të krishterë, të frymëzuar prej Papës Leoni i Madh, por të thirrur nga Perandori Marciani, i nxitur nga e shoqja, tejet e devotshme, Pulkeria. Ashtu si paraardhësit, Kostandini e Teodosi, edhe çifti perandorak i kohës shqetësohej nga grindjet doktrinore, që krijonin rrezikun e minimit të unitetit të Perandorisë Romake, e cila kalonte kohë të vështira e tashmë ishte e fortë vetëm në Lindje. Thirrën, prandaj, më 8 tetor, deri më 1 nëntor të vitit 451, 600 ipeshkvij.
Njëzet vjet para kësaj ngjarjeje, në Efez, duke iu kundërvënë Arius e Nestorit, qe ripohuar natyra hyjnore e Krishtit, nga e cila vinte edhe amësia hyjnore e Marisë. Por kundërshtimet nuk kishin përfunduar akoma. Kishte nga ata që, të kryesuar nga murgu Eutiku, me shumë ndjekës pas vetes, bridhnin nga bashkësia në bashkësi, edhe në vise të largëta, duke tërhequr turmat me një besojmë të re, krejt të kundërt nga të parat. Për ta, Krishti ishte Zot i vërtetë, po, por njeri ishte vetëm në dukje, sepse natyra e tij hyjnore dilte mbi atë njerëzore, duke e shlyer fare.
Ja si mendonin: Jezusi i Nazaretit, Zot i vërtetë, dukej sikur kishte uri e etje, dukej sikur vuante, madje dukej edhe sikur vdiste, por në të vërtetë, sipas Letrës së Eutikut, tallej me kryqëzuesit e tij, sepse si Zot, ai ishte i patundshëm, i paprekshëm nga stuhitë e jetës njerëzore. Një Vetje më vete? Po, por edhe me një natyrë të vetme, krejt e vetëm hyjnore. Pikërisht e kundërta e pohimit të Arius e Nestorit, por njëlloj përçarëse për fenë e vërtetë e bashkësinë e vërtetë.
Ja marrëveshja që u arrit ndërmjet Perandorit, në Kostandinopojë e Papës Leoni, në Romë. Në kulmin e Koncilit, më 25 tetor të vitit 451, në asamblenë e kryesuar personalisht nga Perandoresha Pulkeria, të 600 ipeshkvijtë shpallën solemnisht Dekretin e Fesë, duke përmendur qartë Letrën e Papës Leoni, drejtuar ipeshkvit Flaviani.
Pikërisht për këtë letër flet edhe Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme të 5 marsit 2008. Kujton posaçërisht fjalën e Leonit të Madh drejtuar Koncilit të Kalçedonisë, në vitin 451, që ngjalli aq shumë emocion e entuziazëm, sa Etërit e Kishës pohuan njëzëri se “ishte vetë Pjetri që fliste me gojën e Leonit”:
Papa kujtonte se Jezusi është Bir i Hyjit në të dyja natyrat e veta, një hyjnore një njerëzore, të pandryshueshme, të pandashme, në një Vetje të vetme. Kjo duhet të jetë feja e të gjithë të krishterëve!
Leoni vuri theksin mbi përgjegjësinë e Pasardhësit të Pjetrit, roli i të cilit është unik në Kishë, duke u mësuar besimtarëve të asaj kohe – e fjalët e tij vlejnë edhe sot për ne – se liturgjia e krishterë nuk është kujtim i ngjarjeve të kaluara, por aktualizim i realiteteve të padukshme, që veprojnë në jetën e secilit.
Nuk mund të harrojmë se historia e njeh si Papa i Madh, i cili në vitin 452 ndaloi marshimin e Atilës e të hunëve të tij që “ku vinin këmbën, nuk mbinte më bar”.
Pas dekretit, radhiten 30 kanune. Termi vjen prej fjalës së lashtë “Kanu”, që tregonte mjetin prej kallami, me të cilin mateshin arat, këtu, mjet për të matur sjelljen e besimtarëve. Janë rregulla, që kanë të bëjnë me fenë, por edhe me jetën e përditshme të besimtarëve e që duhen respektuar plotësisht.
I përkasin një kohe që s’është jona, por shpesh me ngjyrime të dukshme historike. Po kujtojmë një, për shembull. Kanuni n. 2 urdhëron që të mos shugurohen ipeshkvijtë për para e, në se kjo ndodh, dënimi është “shkarkim i menjëhershëm nga çdo detyrë”. Një masë e tillë ishte më se e drejtë, sepse ipeshkvi nuk duhet të ketë asnjë përfitim nga detyra, e aq më pak i lejohet të përdorë në mënyrë të turpshme paranë, për të zënë një vend, të cilin e lakmon pikërisht për fitimet, që mund t’i sjellë”. E një dënim i tillë vlen edhe për të gjithë njerëzit, që i shërbejnë Kishës, murgjër e laikë, të cilët Kanuni i Koncilit të Kalçedonisë i mallkon, në se vihen në shërbim të Kishës me para e për para. E kjo, sepse ata kanë për detyrë të merren me punët e shpirtit e jo me punët e botës.
Koncili i Kalçedonisë mbyll serinë e pesë mbledhjeve të para të historisë së Kishës katolike.
Në të ardhmen do të kemi rastin të njohim edhe 16 të tjerët, deri te Koncili II i Vatikanit, për të cilin do të flasim më shumë në 50- vjetorin e mbledhjes së tij.







All the contents on this site are copyrighted ©.