2012-07-25 16:03:04

44-vjetori i “Humanæ Vitæ”, Enciklikë e Palit VI, tekst guximtar e largpamës.


Më 25 korrik të vitit 1968 botohej Enciklika e Palit VI Humanæ Vitæ. Dukumenti, që paraqet vizionin e Kishës mbi dinjitetin e jetës njerëzore, posaçërisht mbi zënien e saj dhe paligjshmërinë e teknikave kundër shtatzanisë, qe fryt i një pune të gjatë e shpesh edhe të kundërshtuar ashpër, realizuar nga një Komision studimi.RealAudioMP3
“Detyra e vështirë për ta transmetuar jetën njerëzore, në të cilën bashkëshortët janë bashkëpunëtorë të lirë e të përgjegjshëm të Hyjit Krijues, ka qenë gjithnjë burim gëzimi, ndonëse nuk kanë munguar kurrë as ankthi e vështirësitë…”.
Me këto fjalë nis enciklika e Palit VI Humanæ Vitæ, mësimet gjithnjë aktuale të së cilës, u ripohuan me forcë nga papët pasardhës. E edhe Benedikti XVI e ka lavdëruar disa herë largpamësinë e Enciklikës, siç po e kujtojmë në këtë 44 vjetor.

“Seksualiteti është pasuri, që vjen nga Zoti, jo mall tregu”. Duhej guxim për ta pohuar këtë parim themelor, në një epokë, si ajo, nisur me ‘68-tën, në të cilën “çlirimi seksual” qe flamur i shpalosur me agresivitet nga ata, të cilët donin të këpusnin çdo lidhje me rregullat e së kaluarës, sepse i shikonin - e i shikojnë - si pengesë për lirinë e vërtetë të njeriut. E pikërisht guximin, njëheresh me largpamësinë profetike të Palit VI, Benedikti XVI e ka theksuar disa herë, duke e vlerësuar lart këtë dokument, nënshkruar më 25 korrik, 44 vjet më parë:
“Ky dokument u bë shumë shpejt shenjë kundërshtie. I hartuar në dritën e një vendimi jo të lehtë, është gjest guximtar në përpjekjen për të ripohuar vazhdimësinë e doktrinës e të traditës së Kishës. Ky tekst, shpesh herë i keqkuptuar e i vënë në dyshim, shkaktoi diskutime të ndezura edhe pse pa dritën në një kohë mohimesh të thella, që ndikoi mbi jetën e breznive të tëra”.
Ishte data 10 maj 2008, kur Benedikti XVI shprehej kështu para pjesëmarrësve në takimin ndërkombëtar, organizuar me rastin e 40-vjetorit të ‘Humanæ Vitæ’. Dashuria bashkëshortore, që pranon dhuratën e paçmuar të jetës, duhet t’i lidhë ngushtësisht lirinë me të vërtetën, pohonte Papa, duke theksuar se është fjala për një mësim jo të lehtë, mbi “një të vërtetë të pandryshueshme”, që pas kaq kohe e nxjerr edhe më në pah “largpamësinë me të cilën përballohet problemi”.
“T’i lidhësh ngushtësisht lirinë me të vërtetën, kur është fjala për të vlerësuar dhuratën e paçmuar të jetës njerëzore”: mbi këtë temë themelore, sa të vjetër, aq edhe të re, u përqendrua fjalimi i Benediktit XVI. Një fjalim me frymëmarrje të gjërë mbi një nga vlerat e padiskutueshme, aq të dashura për Papën. Audienca e asokohsme i krijoi Benediktit XVI mundësinë të kujtojë guximin dhe largpamësinë e Papës Montini në publikimin e enciklikës e cila, për fat të keq, shpesh herë nuk u kuptua si duhet. Papa Ratcinger theksoi edhe një fjalë kyçe, për të kuptuar enciklikën e Palit VI, fjalën “dashuri”. Një dashuri, që i ka rrënjët në Zotin e, prej këndej, nuk mund ta shikojë kurrë trupin njerëzor si mall, i cili mund të shitet e të blihet:
“Në një kulturë, që i nënshtrohet sundimit të pasjes mbi qenien, jeta njerëzore rrezikon ta humbasë fare vlerën. Në se ushtrimi i seksualitetit shndërrohet në drogë, që kërkon t’ia nënshtrojë partnerin dëshirave e interesave vetjake, pa i respektuar fare kohët e njeriut të dashur, atëherë nuk duhet mbrojtur më vetëm koncepti i dashurisë, por, në radhë të parë, vetë dinjiteti i njeriut”.
Dashuria, parë si dhuratë e jo thjesht si akt, na kujton, sipas Papës, veprën e Zotit në zanafillën e krijimit. Gjithsesi sot, ashtu si në kohët e Palit VI, vëren Papa, ekziston prirja për t’u krijuar, posaçërisht të rinjve, një vizion të shtrembëruar të dashurisë, idenë se dashuria është vetem kënaqësi, larg çdo lloj përgjegjësie:
“Të ushqesh shpresa të rreme për dashurimë ose të gënjesh për përgjegjësitë e vërteta që duhen marrë mbi vete, kur ushtron seksualitetin, kjo nuk e nderon një shoqëri, që ngre vazhdimisht zërin në mbrojtje të parimeve të lirisë e të demokracisë. Liria duhet të përkojë me të vërtetën, me përgjegjësinë e me forcën e përkushtimit ndaj tjetrit, edhe kur është fjala për fljime”.
Pa e lënë vetën të sundohet nga joshja e teknikës, Kisha vijon ta shikojë dashurinë bashkëshortore ndërmjet burrit e gruas si pjesëmarrje në veprimtarinë krijuese të vetë Hyjit. Eshtë një vështrim plot respekt, i vëmendshëm ndaj asaj gjëje misterioze e mahnitëse, që ndodh në transmetimin e jetës. Natyrisht, logjika e reciprocitetit të mirëpritjes, e sundimit të vetvetes, e respektit të bashkëshortit, e përshpirtërisë dhe e përgjegjësisë, që karakterizon këtë vizion, mund të duket me vjet drite larg prej ndarjes së seksualitetit nga përgjegjësia, prej përpjekjes “për ta shndërruar seksualitetin në drogë”, që sot çirret nga çdo çdo skaj i rrugëve tona e i qyteteve tona, nga çdo ekran i TV -ve e i kompjuterave tonë.
Por pikërisht për këtë enciklika Humanæ Vitæ është largpamëse. Duke marrë guximin të thotë fjalë të vështira, na kujton të vërtetën mbi dinjitetin e njeriut, të jetës e të dashurisë, që tepër shpesh bie në harresë.
E, si pasojë, njeriu nuk bëhet aspak më i lumtur, përkundrazi, “mbyllet në rrethin e egoizmit mbytës që, siç thotë Papa, rri gjithnjë në pritë”. Ndërsa “dashuria dhe arsyeja së bashku, vijon Benedikti XVI, mund të bëjnë diçka shumë të madhe”: Po: duhet shpëtuar dashuria, për të sotmen e për të nesërmen. Për të gjithë!







All the contents on this site are copyrighted ©.