Siri: imzot Audo në Halab ekziston rreziku i një masakre si në Homs
Të krishterët në Damask e në Haleb janë të terrorizuar nga frika që mund të merren
në shënjestër dhe të detyrohen të ikin nga vendi. Kështu deklaroi ipeshkvi kalde i
Halab, imzot Antoine Aude. Sipas të dhënave të prelatit sirian, Kisha lokale ka frikë
që mund të përsëritet katastrofa e pranverës së kaluar që ndodhi në Homs, kur lagja
e të krishterëve qe bombarduar, duke detyruar ikjen në masë të mase 120 mijë besimtarëve
të krishterë. Ipeshkvi sirian pohon se, me përshkallëzimin e gjendjes së konfliktit
në Halab e në Damask, njerëzit i drejtohen atij, të dëshpëruar e të tmerruar pas braktisjes
së shtëpive e pronave të tyre, duke ikur në drejtim të qyteteve e të fshatrave më
të sigurta. Në një intervistë dhënë shoqatës Ndihmë Kishës që Vuan e ribotuar nga
agjencia Zenit, imzot Audo tha: “Asaj që më shumë i frikohemi në këtë situatë anarkie,
janë njerëzit e armatosur përreth Kishave e selive të dioqezave tona, siç pati ndodhur
në Homs, e do të ishte një shkatërrim për ne”, shtoi ai. Prelati sirian më tek deklaroi
se të dielën e kaluar gjatë Meshës, Kisha ishte gjysmë e zbrazët, sepse besimtarët
kanë frikë të shkojnë në vende të kultit. Arsyet e kërcënimit kundër të krishterëve
janë “shumë komplekse”, sipas ipeshkvit i cili shtoi: “Nuk jemi gjendje t’i kuptojmë
qartë arsyet armiqësore të rebelëve ndaj të krishterëve. Atë që mund të themi – vijoi
imzot Audo – është se nëse hyjnë në zonën e krishterë do të ishte vërtetë shumë punë
e keqe. Frika e të krishterëve është shumë e madhe: jemi një pakicë e jemi gjithmonë
të kërcënuar”. Duke nënvizuar frikën për mungesë të mbrojtjes, ipeshkvi tha: “Si mund
t’i mbrojmë njerëzit tanë? Nuk kemi asnjë mundësi për bërë diçka të tillë. E nuk janë
vetëm të krishterët që përfshihen në këtë situatë të rrezikshme, por ka edhe myslimanë,
të kërcënuar si gjoja simpatizues të qeverisë”.