2012-07-24 14:25:47

Presidenti sirian kërcënon se do të përdorë armët kimike


Vazhdojnë luftimet në qytetin Halab në Siri, ku gjendja është keqësuar. Siç konfirmojnë burime nga vikariati apostolik, njerëzit janë mbyllur nëpër shtëpi dhe dalin fare pak, vetëm për të blerë ndonjë gjë, që u duhet.
Halab konsiderohet kryeqyteti ekonomik i vendit, ndërsa në atë politik, në Damask, forcat e sigurisë së presidentit Bashar al-Asad kanë filluar një ofensivë, duke i kërkuar rebelët shtëpi për shtëpi. Kryeipeshkvi maronit, Samir Nasar, deklaron se familjet largohet nga lagjet më të rrezikshme për të formuar radhë pa fund në rrugën për në Liban, ku deri tani janë strehuar mëse 40 mijë refugjatë. Edhe Iraku ka hapur kufirin për refugjatët sirianë dhe u ka kërkuar Kryqit e Kuq e Gjysmëhënës së Kuqe t’u japin atyre asistencë.
E ndërsa bashkësia ndërkombëtare vazhdon debatet për zgjidhjen e mundshme të krizës, për të cilën vendet nuk bien dakord, Damasku kërcënon se në rastin e ndonjë ndërhyrjeje të huaj do të përdorë armët kimike. Sipas analistëve, është më tepër kërcënim politik se real, por ka nga ata që e konsiderojnë këtë deklaratë si “casus belli” të mundshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.