2012-07-24 12:00:04

Papa për Institutet shekullare: “Merrni përsipër me dashuri plagët e botës e të Kishës”


Institutet shekullare duhet të marrin përsipër me dashuri plagët e botës e të Kishës: kjo është këshilla kryesore, që u jep Benedikti XVI anëtarëve të Instituteve shekullare, mbledhur në Asizi deri më 26 korrik, për Kongresin e tyre me temë “Duke dëgjuar zërin e Zotit, nëpër hullitë e historisë: shekullarë me syrin drejt shugurimit”.
Mesazhi i Papës mban firmën e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Tarçizio Bertone. Në një kohë, si e sotmja, që shtron pyetje të thella para jetës e fesë, shkruan Benedikti XVI, të shuguruarit mund të ndjekin thirrjen e tyre, duke qëndruar në botë, duke marrë përsipër të gjitha problemet e aspiratat e saj, të cilat duhet t’i shikojnë me një sy njerëzor, që përkon gjithnjë e më shumë me atë hyjnor.
Marrëdhëniet ndërmjet Kishës e botës, vazhdon më tej Ati i Shenjtë, duhen jetuar me reciprocitet, pasi nuk është vetëm Kisha, që i jep botës, duke kontribuar në humanizimin e njerëzve e të historisë së tyre, por është edhe bota, që i jep Kishës, duke e ndihmuar të kuptojë më mirë vetveten e misionin e saj. Papa përcakton tri fusha kryesore, në të cilat duhet ta përqendrojnë vëmendjen Institutet shekullare: dhurimi i plotë i vetvetes në takimin personal me dashurinë e Zotit; jeta shpirtërore, që do të thotë – e këtu kalojmë në fushën e tretë - të gjesh Krishtin në çdo gjë, të lutesh e të marrësh pjesë në Eukaristi.
Në fund, Papa përmend rëndësinë e formimit, kuptuar si dije për madhështinë e Krijuesit e për centralitetin e njeriut. Kjo lloj kulture, nënvizon Benedikti XVI, i bën laikët e meshtarët të aftë të kuptojnë ndërlikimet e botës e të impenjohen në histori në dritën e Fjalës së Jetës. E detyrat praktike, sipas Papës, janë gatishmëria për të kontribuar në të mirën e përbashkët, me krijimtarinë, që vjen nga Shpirti i Shenjtë, duke ushqyer këndvështrime mbi të ardhmen, që i kanë rrënjët e forta në Krishtin. Vetëm kështu, nënvizon Papa, Institutet shekullare mund t’i shërojnë me dashuri plagët e botës e të Kishës.







All the contents on this site are copyrighted ©.