2012-07-24 12:01:13

Kardinali Filoni shuguron 4 ipeshkvij në Republikën Qendroafrikane


“Një mesazh shprese, që u kujtoi afrikanëve se nuk janë kurrë vetëm”, çoi në Afrikën Qendrore Kardinali Fernando Filoni, prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, gjatë vizitës së tij njëjavore në Republikën Qendroafrikane. Çasti më solemn i vizitës ishte ai i së dielës, 22 korrik, kur Hirësia e Tij shuguroi 4 ipeshkvij, emëruar nga Benedikti XVI më 14 majin e kaluar.
“Kisha Qendroafrikane do të shkëlqejë nga drita e Krishtit! Ju ftoj për një impenjim të ri misionar; tashmë tingëllon fort ora e fillimit! Duhet të nisë një epokë e re, tha kardinali, përballë një turme prej më se 1.500 besimtarësh, mbledhur në sheshin para katedrales së Banguisë për shugurimin e ipeshkvijve të rinj, imzot Dieudonné Nzapalainga (kryeipeshkëv i Bangui), imzot Nestor-Désiré Nongo Aziabgia (ipeshkëv i Bossangoa), imzot Dennis Abgenyadzi (ipeshkëv i Berbérati) e imzot Cyr-Nestor Yapaupa (ipeshkëv ndihmës i Alindao).
Së bashku me kardinalin Filoni, njofton agjencia Fides, Meshën Shenjte, që zgjati pesë orë, e bashkëkremtuan të gjithë ipeshkvijtë e Republikës Qendroafrikane, përkrah të të cilëve, edhe ipeshkvij ardhur nga Franca, Kameruni, Çadi, Gana, si dhe shumë personalitete të tjera të larta të Kishës e të shteteve afrikane. I pranishëm, edhe presidenti i Republikës, Fraçois Bozizé.
“Ati i Shenjtë ju dhuroi, më 14 maj, në festën e Shën Matisë Apostull, katër ipeshkvij të rinj, tha kardinali Filoni gjatë homelisë: Zoti jua jep për t’ju kullotur në lëndina të blerta, për t’ju qeverisur, për të shuar etjen e urinë e shpirtrave tuaj, për t’ju prirë kah ujërat e sigurta. Zoti jua dhuron për t’ju mësuar Fjalën e tij, që është vërtetësi e dritë, e cila u ndriçon njerëzve rrugën e jetës. Zoti jua dhuron për t’ju shenjtëruar me sakramentet, që janë prani e Tij, përmes Shpirtit Shenjt, ndërmjet nesh.
Duke komentuar leximet biblike të ditës, kardinali theksoi se Zoti e mbajti premtimin për të qenë bari i popullit të vet të braktisur, duke ngjallur Jezusin e Nazaretit, Bariun e Mirë. E Ungjilli thekson një nga tiparet kryesore të Bariut të Mirë: mëshirën. Prej këndej, çdo i krishterë, e aq më tepër çdo ipeshkëv, i zgjedhur nga vetë Zoti, duhet të jetë ikonë e butësisë, e mëshirës dhe e përdëllimit, ashtu si Jezusi.
Pasi shpjegoi kuptimin e riteve liturgjike të shugurimit ipeshkvnor, kardinali Filoni nënvizoi se Jezusi nuk e kufizon mandatin besuar apostujve vetëm në një përmasë, por i bën ungjillëzues për një rreze prej 360 gradësh. Për ta predikuar të vërtetën, por sidomos për ta jetuar! Për t’u bërë dritë, në errësirën e botës, duke e mbushur përplot me dritën e Krishtit, përmes dëshmisë së vetë jetës.
Në përfundim Hirësia e Tij kujtoi Vitin e Fesë, duke uruar që ky vit të jetë për të krishterët afrikanë rast i përshtatshëm për ta fuqizuar e për ta thelluar fenë, në nivel personal e komunitar.
Kujtojmë se gjatë kësaj vizite, kardinali Filoni u takua me ipeshkvijtë e mëkëmbësit e përgjithshëm, me meshtarët, rregulltarët e rregulltaret, me mësuesët e seminareve dhe delegatët laikë.
Më 20 korrik Prefekti i Dikasterit Misionar u prit në audiencë nga kreu i shtetit, pasi vizitoi edhe disa jetimore e famulli të Bangui. Më 26 kthehet në Romë.
Kujtojmë edhe se, sipas të dhënave të kohëve të fundit, Kisha në Republikën Qendroafrikane shtrihet në një territor me sipërfaqe prej 622.984 kmk, me një popullsi prej 4. 298.000 banorë, nga të cilët, 1.282.000 katolikë, organizuar në 9 qarqe kishtare, 116 famulli, 10 stacione misionare me meshtarë të përhershëm e 1.615, me meshtarë shëtitës. Kishës i shërbejnë 11 ipeshkvij, 192 priftërinj dioqezanë e 125 rregulltarë, ndërmjet të cilëve, 23 nuk e kanë urdhërin e meshtarisë; 354 rregulltare, 13 anëtare të instituteve rregulltare femërore, 26 misionarë laikë, 4.199 katekistë. Në seminaret e vogla përgatiten 222 kandidatë për priftërinj, 124 për rregullatrë. Në seminarin e madh vijojnë përgatitjen 156 kandidatë për priftërinj dioqezanë, 62 për rregulltarë.
Kisha drejton 106 kopshte, 148 shkolla fillore e 23 të mesme, përveç 114 instituteve të bamirësisë e të asistencës, ndërmjet të cilave, 12 spitale, 35 dispanseri, 8 qendra për pleq e handikapatë, 4 jetimore, 23 qendra riedukimi.







All the contents on this site are copyrighted ©.