2012-07-23 15:11:44

Në Egjipt, një ligj për të mbrojtur të krishterët


Debati i ashpër ndërmjet islamistëve të moderuar dhe atyre më konservatorë për Kushtetutën e re egjiptiane, e nxiti Universitetin mysliman të al-Azharit, qendër e njohur e islamizmit në të gjithë botën, të propozojë një nen të veçantë për mbrojtjen e të krishterëve nga zbatimi i mundshëm i sharisë.
Çështja ka të bëjë me nenin e 2-të të dokumentit, i cili thotë: “Islami është feja e shtetit, arabishtja është gjuha zyrtare e vendit dhe parimet e Sharisë islamike janë burimi kryesor i së drejtës”. Disa anëtarë të Asamblesë Kushtetuese duan të shtojnë edhe këtë frazë: “Të krishterët dhe hebrenjtë duhet t’u nënshtrohen ligjeve të feve të tyre”.
Sipas këshilltarit të Imamit të Madh, delegat i al-Azharit në Asamble, teksti nuk është i qartë, sidomos nuk kuptohet cilave parime të sharisë u referohet. Shtesa për të krishterët dhe hebrenjtë është edhe më e errët. Sipas Mohammed Abdel Salam, duhet shkruar një nen i ri, që i deklaron të krishterët jashtë detyrimit për t’iu bindur sharisë. Egjipti i pas Mubarakut akoma po diskuton mbi tema, që kanë të bëjnë me fenë, duke lënë mënjanë të drejtat civile, kërkuar nga shumë manifestues në sheshin Tahrir. Koncepte si “qytetar”, “njeri”, “shtet laik” janë akoma jashtë debatit publik.








All the contents on this site are copyrighted ©.