2012-07-23 15:12:12

Kisha, e pranishme në Lojrat Olimpike


Për herë të parë në histori, Kisha Katolike merr pjesë në organizatën ekumenike “More than gold” (Më shumë se ar), e cila kryen shërbimet fetare gjatë Lojrave Olimpike të Londrës, që fillojnë kësaj së premteje. Organizata u vë në dispozicion atletëve e turistëve çaste lutjeje e kundrimi në kishat e krishtera, kapelanë për qytezën olimpike dhe kremtime eukaristike në disa gjuhë, tri herë në ditë. Por edhe një tas çaj, apo shërbime të tjera, shpjegon përfaqësuesi katolik, Xhejms Parker.
Brenda organizatës, ku bëjnë pjesë shumë konfesione të krishtera, katolikët do të organizojnë koncerte me muzikantë të krishterë dhe një kamp ndërkombëtar për të rinjtë “Camp Joshua”. Gjithashtu, Kisha Katolike ka ofruar strehim falas për familjarët, miqtë e atletëve dhe për turistët nga vendet më të varfëra. Deri tani, ka pasur rreth 500 kërkesa. Një e treta e atletëve të pranishëm në Lojrat Olimpike janë katolikë. “Më 28 korrik, gjatë kremtimit në Abacinë e Uestminsterit, në praninë atletëve të sotëm e të djeshëm, së bashku me shumë ipeshkvij – thotë zëdhënësi i Konferencës Ipeshkvnore – do t’ia ofrojmë këto lojra Zotit. Sepse sporti është dhuratë e Hyjit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.