2012-07-22 15:56:21

Shenjtorët e Javës


E diel 22 korrik, Kisha katolike kremton të dielën e 16-të gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë. Gjithnjë më 22 korrik kalendari përkujton shën Marinë Magdalenë, nxënëse e Krishtit, që jetoi me moton: Shpirti im ka etje për ty, o Zot’. Si Nusja e ‘Këngës së Këngëve’, Maria kërkon, pa gjetur prehje, Atë që e do me gjithë zemër. Dënesa e saj pranë varrit të Jezusit, pas takimit me të Ngjallurin shndërrohet në britmën e gëzimit: “Kam parë Zotin!”.
Të hënën me 23 korrik kalendari përkujton shën Brigjidën, Pajtore Qiellore e Evropës. “Dashuria ime është i Kryqëzuari” ishte motua e saj. Karizma e shën Brigjidës ishte lavdërimi i përhershëm i Hyjit, dhurimi i jetës për shpërblim të mëkateve dhe bashkimi i Kishës. I mëson gratë e kohëve tona ta çojnë dashurinë e Krishtit në të gjitha fushat e shoqërisë.
Të martën më 24 korrik kalendari përkujton shën Sharbel Maklufin, meshtar e shën Kristinën virgjër. Këta me jetën e tyre na nxisin të meditojmë se detyra kryesore e njeriut është të bëjë vullnetin e Zotit. Detyrat e kërkesat e tjera të panumërta të jetës njerëzore, që nga ato të familjes, tek detyrat e punës, janë të gjitha të dorës së dytë e të gjitha të varura pikërisht nga vullneti i Zotit
Të mërkurën me 25 korrik, kalendari kishtar kremton festën e shën Jakut të Madh, Apostull e të shën Kristoforit, martir. Liturgjia e kësaj dite na kujton se synimi dhe dëshira për të zënë vendet e para, për të arritur në pushtet, i tundon edhe Apostujt si të gjithë njerëzit. E shën Jaku e zë vërtetë një vend të parë: ai është i pari që jep jetën për Krishtin.
Të ejnten më 26 korrik, kalendari përkujton festën e shën Joakimit e shën Anës, prindërve të Zojës së Bekuar, të gjyshit e gjyshes së Jezusit, që së bashku me të drejtët e prisnin ardhjen e Mesisë. Këta na kujtojnë se lumnia e vërtetë e nxënësve të Krishtit është se arritën të shohin me sytë e tyre e të dëgjojnë me veshët e tyre atë që profetët e të drejtët e dëshiruan me gjithë zemër, por s’e panë, as s’ e dëgjuan.
Të premten më 27 korrik, kalendari përkujton shën Pantaleonin, mjek e martir dhe Shën Çelestinin, papë. Liturgjia e ditës na kujton shëmbëlltyrën ungjillore të farëhedhësit. Secili nga ne duhet të marrë pjesë në këtë hedhje të farës së mirë të dashurisë, mirëkuptimit e paqes, pa menduar për cilësinë e arës, por për ‘mirësinë’ e farës.
Të shtunën më 28 korrik kalendari kishtar përkujton shenjtorët Urbanin II e Vitorin papë, Nazarin e Çelsit, martirë milanezë dhe shën Ezekielin profet. Liturgjia e festës së tyre na kujtojnë se shëmbëlltyra ungjillore e egjrës, e mbjell në të njëjtën arë me grurin e mirë, është simbol i padurimit të atyre që e konsiderojnë veten të mirë, ndërsa për të tjerët e kërkojnë ndërhyrjen e menjëhershme të drejtësisë së Zotit, i cili, ndërkaq, kohët e veta i rregullon me orën e mëshirës e jo të ndëshkimit.
Të dielën e ardhshme më 29 korrik, Kisha do të kremtojë të dielën e 17-të gjatë vitit kishtar e po me 29 korrik kalendari përkujton shën Martën, dishepule e Zotërisë Jezus. Liturgjia e kësaj dite na kujton se Krishti nuk i dënon punët me të cilat merret Marta, sepse edhe ai vetë ka nevojë për to, por dëshiron të nënvizojë praninë e tij, të cilën mund ta zbehë shqetësimi për ta pritur sa më mirë.







All the contents on this site are copyrighted ©.