2012-07-22 20:03:51

Papa: djalli mbjell grindje e përçarje, Zoti ofron paqe


“I keqi mbjell grindje; Zoti krijon paqe!”: Ky është mesazhi që Papa Benedikti XVI bëri sot në çastin e lutjes së Engjëllit të Tënzot në selinë papnore në Kastel Gandolfo. “Në të vërtet – tha Papa duke fol para besimtarëve të mbledhur në oborrin e Pallatit apostolik -, i keqi gjithmonë mundohet të shkatërron veprën e Zotit, duke mbjell ndarje e përçarje në zemrën e njeriut, ndërmjet trupit e shpirtit, ndërmjet njeriut e Zotit, në marrëdhëniet ndërpersonale, shoqërore, ndërkombëtare, e edhe ndërmjet njeriut e krijimit”.
Reflektimi i Papës ishte festa e sotme liturgjike e Marisë Magdalenë, e cila qe shpëtuar nga Jezusi “nga shërbimi e nënshtrimi i plotë ndaj të keqit (djallit)”. “Në çka qëndron – pyeti Papa Ratcinger – shërimi i thellë që Hyji bëri përmes Jezusit? Është në paqen e vërtetë, të plotë, fryt i pajtimit të njeriut me vetveten e në të gjitha marrëdhëniet e tij: me Zotin, me të tjerët, me botën”. Sipas Benediktit XVI, leximet biblike të kësaj së diele të 16-të gjatë vitit kishtar, na kujtojnë se Zoti e do jetën për ne, Ai do të na udhëheq në kullota të mira, ku të mund të ushqehemi e të pushojmë; nuk do që të birremi e të vdesim, por t’ia arrijmë cakut të udhës sonë, që është plotësia e jetës”. “Është pikërisht kjo dëshira e çdo babai dhe e çdo nëne që kanë për fëmijët e tyre – shtoi Papa -: e mira, lumturia, realizimi”.
Duke cituar pastaj letrën e shën Palit drejtuar Efesianëve, Papa teolog shtoi: “Madje, Krishti është paqja jonë, Ai që prej dy popujve bëri një, e përmbysi murin ndarës, domethënë armiqësinë, në trupin e vet”.
E para përfundimit të reflektimit të tij me lutjen drejtuar “Marisë, Nënës së Krishtit paqes sonë, që të lutet për ne!”, Jozef Ratcinger shtoi se “Fjala e Zotit e kësaj së diele na propozon një temë themelore e përherë tërheqëse të Biblës: na kujton se Zoti është Bariu i njerëzimit”. “Kjo – vërejti – do të thotë që Zoti na prin udhës së jetës së vërtetë e të plotë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.