2012-07-22 19:25:30

Më 22 korrik kalendari përkujton shën Marinë Magdalenë.


Maria nga Magdala, e shëruar në shpirt nga Jezusi, nisi ta ndiqte Mësuesin Hyjnor e t’i shërbente me dashuri të madhe (Lk 8,3). Në fund, kur të gjithë nxënësit kishin ikur, Maria Magdalena ishte aty, tek këmbët e Kryqit të Krishtit, pranë Mësuesit Hyjnor, përkrah Virgjërës Mari, Gjonit e disa grave (Gjn 19,25). Ditën e Pashkëve Jezusi iu duk asaj dhe e çoi për t’i kumtuar nxënësve lajmin se ishte ngjallur” (Mk 16,9; Gjn 20,11-18). Kisha latine zakonisht e kremton së bashku në liturgji të tria gratë me emrin Mari, për të cilat flet Ungjilli: Marinë e Betanisë, motrën e Lazrit e të Martës, Mëkataren e paemër, “së cilës iu fal shumë, sepse deshi shumë”, e Marinë Magdalenë ose prej Magdale, që e ndihmoi dhe e ndoqi Jezusin së bashku me gratë tjera, gjatë udhës së kalvarit deri në kryqëzim.
Emri Mari kujtohet disa herë e në rrethana të ndryshme gjatë tregimit ungjillor e Gregori i Madh ishte i mendimit se bëhej fjalë për një Mari të vetme. Ndërsa janë tri. Shën Mari ishte nga Magdala, qytet i vogël i Galilesë. Në ungjillin e shën Lukës shkruhet kështu për Të: “Ishin me Të (me Krishtin) të dymbëdhjetë apostujt dhe disa gra, që qenë shëruar nga shpirtrat e këqij dhe nga sëmundjet: Maria e Magdalës, nga e cila kishin dalë shtatë djaj, Gjovana, gruaja e Kuzës, administratorit të Herodit, Suzana e shumë të tjera, që i ndihmonin me pasuritë e tyre”. Ndër ungjijtë, sa herë që përmendet ky grup i nxënësve, Magdalena kujtohet e para, për të treguar nderimin që gëzonte në bashkësinë e parë të krishterë. Ajo pati hirin të ishte dëshmitarja e parë e Ngjalljes së Jezu Krishtit.
Për Marinë Magdalenë flasin të katër Ungjijtë. Kulti i nderimit të saj u përhap në Kishën e perëndimit sidomos në shekullin XII. E lindur nga Magdala, qytezë peshkatarësh pranë liqenit të Gjenezaretit në Galile. E pranuar ndër nxënësit e Krishtit, qe e pranishme në vdekjen e Tij mbi kryq, dhe në mëngjesin e Pashkëve meritoi të shihte e para Shëlbuesin e Ngjallur (Mk 16,9) dhe e para ju tregojë apostujve për Ngjalljen e Krishtit.







All the contents on this site are copyrighted ©.