2012-07-22 15:58:30

Mesazh i lëvizjes ndërfetare filipinase “Silsilah” për Ramazanin


“Ramazani është rast për të reflektuar e për të gjetur domethënien shpirtërore të jetës. Për myslimanin është detyrë, për të tjerët sfidë. Gjatë tij i japim rëndësinë e duhur përshpirtërisë së jetës, në dialog me të tjerët dhe i ndihmojmë myslimanët e të krishterët ta kthejnë fenë e tyre në thesar shpirtëror të përbashkët”. Kështu shkruan në mesazhin e saj për Ramazanin, që filloi më 20 korrik e do të vazhdojë deri më 18 gusht, Lëvizja filipinase për dialogun islamo-kristian “Silsilah”, themeluar para 25 vjetësh nga misionari italian, atë Sebastiano D’Ambra, në ishullin e Mindanaos. Pikërisht këtu, Këshilli Ndërfetar i Pleqve ka vënë në dukje disa nga elementet themelore e përfitimet, që mund t’i kenë të gjithë nga muaji i Ramazanit, si: shpirti i sakrificës, pendesa për mëkatet, bashkimi me Zotin, dashuria për Zotin e për të afërmin, nevoja për t’i kushtuar kohë meditimit, falja e bamirësia, agjërimi, pastrimi i shpirtit, toleranca ndaj feve të tjera. Këto vlera, deklarojnë liderët myslimanë e të krishterë, i afrojnë besimtarët e feve të ndryshme. Krerët myslimanë theksojnë edhe se shpesh Islami përdoret për qëllime, që s’kanë të bëjnë aspak me fenë, prandaj Ramazani duhet të shërbejë si rast për të gjetur mënyrën më të mirë për lidhjen e miqësisë me të krishterët, fryt i dashurisë dhe i mirëkuptimit të ndërsjelltë.







All the contents on this site are copyrighted ©.