2012-07-22 17:16:54

Don Lush Gjergji: Ali Podrimja poeti ynë i idealeve të përjetshme


Vdekja - kalimi në amshim - lartësim për Poetin Ali Podrimja!
Prej ditës së djeshme isha në ankth dhe ethe të pritjes dhe të frikës...
Ndodhi ajo që shpresoje se nuk do të jetë e vërtetë, vdekja e papritur e Mikut, Vëllait, Poetit, Mendimtarit, Mjeshtrit të vargut dhe të mendimit, Ali Podrimja...
Jam i tronditur në shpirt, dhe në "lundrime në kujtime" i kujtoj më se 40 vjet njohurie, takime, bashkëpunime, vëllazërie në pjesët e ndryshme të Kosovës, por edhe jashtë saj.
Jam i lumtur e mirënjohës që kam njohur e bashkëpunuar në shumë raste, lëmi, veçmas rreth përpilimit të librit "Lule për Nënën", ku ai, i ndjeri Fahredin Gunga e i ndjeri Rifat Kukaj kanë dhënë "pjesën më të mirë të vetvetes" do të thoshte Nënë Tereza.
Ali Podrimja ishte Gjeniu i poezisë shqipe, Njeriu i cili e personifikoi vuajtjen, dhembjen, pikëllimin e Popullit tonë nëpërmjet Lumit.
Pas vdekjes së Lumit besimi në jetë, në të tashmen dhe të ardhmen, në Zot e në amshim, te Aliu ynë ishte edhe më i madh e i pathyeshëm.
Dhe pikërisht për këtë vdekja nuk e "korrë", edhe më pak e rrëmben, aspak nuk e rrënon dhe asgjëson Poetin tonë të dashur - Ali Podrimja, por atë e Lartëson e përfundimisht e bën të pavdekshëm.
Për çdo fjalë, resht, mendim, porosi, mbi të gjitha për ngrohtësi e vëllazëri, për bashkëndarje të shumë ideve e idealeve të jetës e të veprimtarisë, Zoti të shpërbleftë, populli me nderim, dashuri e falënderim të kujtoftë!
Pusho në paqe e mos na harro!
Don Lush GJERGJI







All the contents on this site are copyrighted ©.