2012-07-22 15:56:39

Atë Lombardi: “Paratë dhe transparenca”


Gjatë javës së kaluar u publikua një raport i detajuar mbi impenjimin e Vatikanit për të hyrë në sistemin ndërkombëtar të kontrollit e të masave për luftën kundër formave të reja të kriminalitetit në fushën ekonomike e financiare, si riciklimi i parave e financimi i terrorizmit. Raporti është hartuar nga Moneyval, organizmi kompetent i Këshillit Evropian. Sipas tij, Vatikani ka ecur mirë, është në rrugë të mbarë, megjithëse mbetet shumë për të bërë. Të dëgjojmë një koment të zëdhënësit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi, për këtë argument:
Për Selinë e Shenjtë, përshkimi i kësaj rruge qe vendim e risi e guximshme, që përkon me vijën koherente të transparencës, dashur nga Papa në të gjitha fushat. Siç e dimë, paratë mund të shërbejnë për shumë gjëra të mira, madje, shpesh janë të nevojshme për realizimin e planeve të mrekullueshme. Njëkohësisht, ato nuk janë shpëtimi i botës e, jo rrallë, përdorimi i tyre shoqërohet me rreziqe. Nganjëherë, për mungesë kujdesi, nganjëherë, për shkak të pasionit të shfrenuar për të pasur sa më shumë. Është pozitive, madje e nevojshme, që bashkësia ndërkombëtare të shqetësohet për vendosjen e rregullave e të kontrolleve në mbrojtje të së mirës së përbashkët. Është e drejtë dhe detyrë që institucionet kishtare të marrin pjesë me forcë, por edhe me përvuajtëri, në këtë përpjekje, pasi s’ka arsye të mendojmë se janë më eksperte e më të afta se të tjerët në vendosjen e këtyre kontrolleve. Përkundrazi, nganjëherë, besimi i tepruar në synimet e mira të tjetrit mund t’i gënjejë.
Rigorozitet dhe administrim i mirë, transparencë e bilanceve dhe e procedurave, respekt për ligjin. Në të gjitha nivelet, në të gjitha anët e botës e në të gjitha fushat, nga bamirësia, tek arsimi e shëndetësia… Rruga është e gjatë dhe e vështirë për të gjithë, edhe për organizatat katolike; kërkon punë për shkak të situatave nga më të ndryshmet; por s’ka asnjë dyshim se është drejtimi i duhur, pasi kjo është premisë edhe për besueshmërinë e misionit shpirtëror e moral të Kishës, që është gjëja më e rëndësishme. Urojmë që përvoja e marrëdhënieve të Vatikanit me Moneyval-in të jenë një hap e shembull i mirë për të gjithë Kishën.







All the contents on this site are copyrighted ©.