2012-07-20 15:44:06

Siri: luftohet në Damask, çarje në OKB, pas vetos së Rusisë e të Kinës.


Në Siri nuk ka paqe. Pas 300 të vdekurve të djeshëm, bilanci më i rëndë që nga fillimi i konfliktit, edhe sot dhuna vijon të gjakosë udhët e Damaskut, i cili tashmë është bërë fronti më i nxehtë, e Këshilli i Sigurimit i OKB-së përçahet, pas vetos së Rusisë e të Kinës.
Damasku pushtohet nga kaosi. Teatri kryesor i çrregullimeve, është lagjja Midan, ku dëgjohen shpërthime të vazhdueshme e ngrihen drejt qiellit shtylla tymi. Burimet e sigurisë pohojnë se ushtria ka nisur kundërsulmin për të shtënë përsëri në dorë zonën, nën kontrollin e kryengritësve.
“Damasku sot po jeton atmosferën e apokalipsit, me shpresë se pas saj do të vijë ringjallja”, njofton përmes agjencisë Fides, imzot Saimir Nassar, kryeipeshkëv maronit i Damaskut. Për t’u kujtuar edhe një sulm me helikopterë luftimi mbi një nga lagjet e jashtme të kryeqytetit. Dhuna arrin të nesërmën e ditës më dramatike në këndvështrimin e humbjes së civilëve, me 300 viktima, shifër që nuk ishte arritur asnjëherë deri më sot.
Në këto orë vijion të bëhet gjithnjë më kritike edhe gjendja e refugjatëve: sipas Unhcr, 30 mijë sirianë kanë ikur në Liban vetëm gjatë dy ditëve të fundit.
Sot pastaj, u dëgjuan edhe zëra, për fatin e ardhshëm të Asadit. Nga Parisi, ambasadori rus në Francë, foli për mundësinë e largimit të presidentit sirian nga vendi në mënyrë civile, sipas një plani të tranzicionit drejt regjimit demokratik. Por Damasku e mohoi menjëherë këtë mundësi.
Front tejet i nxehtë, edhe ai i diplomacisë, pas vetos së Rusisë e të Kinës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Votë e dënueshme, pohuan SHBA, e tejet e qortueshme edhe nga diplomacia evropiane, ndërsa dy vendet e quajnë të papranueshme kritikën, duke ngulmuar se mbështetja e dokumentit do t’i kishte hapur udhën ndërhyrjes ushtarake.Sot u votua edhe rezoluta, e paraqitur nga Pakistani dhe e mbështetur nga Rusia, për zgjatjen prej 45 ditësh të misionit të vëzhguesve të OKB-së.







All the contents on this site are copyrighted ©.