Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 16-të gjatë vitit ‘B’
Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të
dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të
dielës së 16-të gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë, sipas kalendarit liturgjik të
Kishës. Tema kryesore e leximeve biblike të liturgjisë Hyjnore të kësaj së diele
është kjo: vetëm Krishti Zot është bari i vërtetë e shpëtimtar i vetëm i njerëzimit.
Jezusi pra është Bariu që i jep bashkim e paqen grigjës së besimtarëve të vet, Ai
plot përdëllim përkujdeset për grigjën e tij. Të dielën e kaluar, nga Ungjilli
i së dielës së 15-të dëgjuam e pamë se si Jezusi e dërgoi grupin e parë të apostujve,
dy nga dy në misionin e shpalljes së Mbretërisë së Zotit. Këtë të diele të 16-të,
Ungjilli na flet për kthimin e të Dymbëdhjetë Apostujve nga misioni e “mbledhjen e
tyre përreth Jezusit, të cilit i treguan gjithçka kishin bërë e mësuar”. Por Ungjilli
i kësaj së diele e vë theksin mbi misionarin e vërtetë të përdëllimit të Hyjit, mbi
bariun e vërtetë që për grigjën e vet është i gatshëm të jap jetën e vet, e ky është
Jezu Krishti, e vetëm Ai. Të tjerët, këndej edhe ne me të tjerët, jemi bashkëpunëtorë,
pra është Ai e vetëm Ai, Krishtit Jezus, që merr nismën, që ngushëllon, që shpëton.
Edhe sot përmes kësaj liturgjie të shenjtë. Në Ungjill, Jezusi i fton nxënësit
e vet, të lodhur nga misioni i predikimit të Mbretërisë së Hyjit, të shkojnë me Të
në një vend të vetmuar, për të pushuar e për t’i formuar sipas zemrës së vet. Mirëpo
shumë shpejt, shumë njerëz u nis në kërkim të Mësuesit Hyjnor dhe arritën tek Ai. Jezusi
pa një mori të jashtëzakonshme njerëzish të çorientuar, pa udhëheqje, si delet pa
bari, pa cak, të braktisura. E Jezusi prekën thellë në zemër e përmallohet për gjendje
e mjerueshme të njerëzimit të braktisur e të pa cak, e pa i lënë anash nxënësit, kujdeset
për morinë njerëzve. Jezusi e di se, më tepër se për bukë e shërim të trupit, këta
njerëz kanë nevojë për një zë që t’i ngushëllon, për një fjalë shprese, për një person
që t’i duaj. Shën Pali Apostull, në leximin e dytë të kësaj së diele, e paraqet
Jezusin si Atë që e bashkon popullin në një trup të vetëm përmes Kryqit të tij. Për
ta bashkëndarë logjikën e Jezusit, bariut të mirë, duhet edhe ne të formohemi nga
Mësuesi hyjnor, të “ripërtërihemi” e të përforcohemi nga Shpirti i Tij.
Liturgjia
e Fjalës së Zotit Leximi i parë Jer 23, 1-6
Shumë gjëra shemben
rreth profetit ashtu si sot rreth nesh. Shpesh faji është i drejtuesve që janë të
paaftë dhe pa interesa për popullin. Megjithatë Hyji nuk braktis planin e tij për
popullin. Profeti Jeremia shpall ardhjen e një mbreti të vërtetë që do të jetë i
ditur dhe do të udhëheqë popullin në drejtësi dhe në të drejtë sipas zemrës së Hyjit.
Lexim prej Librit të Jeremisë profet
“Vaj për barinjtë që e
lënë të sharrojë dhe e shpërndajnë grigjën e kullotës sime”, thotë Zoti. Për këtë
arsye kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit, për barinjtë që e kullotin popullin tim:
Ju e tretët grigjën time; i shpërndatë delet e mia e nuk u kujdesuat për to. Ja, pra,
unë vetë do të merrem me ju: do ta ndëshkoj sjelljen tuaj të keqe! - është fjala e
Zotit! Po, unë vetë do ta bashkoj tepricën e grigjës sime nga të gjitha vendet, ku
i pata flakur, e do t’i kthej në kullotat e tyre: do të sillen mbarë e do të shumohen.
Unë vetë do t’u caktoj barinj që do t’i kullotin; më s’do të kenë frikë as nuk do
të tremben, asnjë kokërr nuk do të mungojë - është fjala e Zotit. Ja, po vijnë ditët
- është fjala e Zotit – kur do t’ia lartoi Davidit pinjollin e drejtë, që do të mbretërojë
si mbret i vërtetë dhe do të jetë i urtë e do të ushtrojë në vend të drejtën e drejtësinë.
Ndër ato ditë Juda do të shpëtojë e Izraeli do të jetojë në paqe. Ja emri me të cilin
do ta quajnë: ‘Zoti ynë – drejtësia jonë!” Fjala e Zotit. Falënderojmë
Hyjin.
Psalmi 23 Zoti është bariu im, asgjë nuk më mungon
Nëpër
fusha të gjelbra Ai më jep pushim, më prin në ujëra të qeta, shpirtin ma përtërin. Ai
më prin shtigjeve të drejta në saje të dashurisë së Emrit të vet.
Po edhe
në kalofsha nëpër luginën e hijes së vdekjes, s’trembem nga e keqja sepse ti
je me mua: thupra jote dhe kërraba për mua janë ngushëllim.
Ti ma shtron
tryezën përpara Ndër sy të armiqve të mi, me vaj erëmirë kryet ma lyen, gotën
ma mbush plot e përplot.
Hiri dhe mirësia do të më përcjellin në të gjitha
ditët e jetës sime, do të banoj në shtëpinë e Zotit derisa të jem gjallë.
Leximi
dytë Ef 2,13-18 Jezusi u ka dhënë fund të gjitha dallimeve dhe ndarjeve mes
njerëzve. Kryqi i tij është pika e takimit ku mund të bisedojnë besimtarët dhe jobesimtarët,
përgjegjësit dhe vartësit. Kryqi i drejtuar drejt qiellit dhe i ngulur në tokë, ka
rrënjosur rrënjët e tij në zemrën e çdo qenie njerëzore, por lulëzon në lirinë e pafundme
të Hyjit. Në Krishtin edhe armiku bëhet vëlla, për të pajtuar së bashku njerëzimin
e plagosur.
Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Efesianëve
Vëllezër,
tani, në Jezu Krishtin, ju që ishit larg, erdhët ngjat, në saje të gjakut të Krishtit.
Përnjëmend Ai është paqja jonë, Ai që prej dy popujve bëri një, e përmbysi murin ndarës,
domethënë armiqësinë, në trupin e vet. Ai e shfuqizoi ligjin e urdhërimeve me të gjitha
rregulloret, me qëllim që prej dyve, paganëve e hebrenjve, të trajtonte në vetvete
një njeri të ri, e duke vendosur paqen, të dy t’i pajtonte në një trup me Hyjin me
anë të kryqit duke e asgjësuar në vetvete armiqësinë. E prandaj erdhi t’ju kumtojë
paqen juve që ishit larg, paqen edhe atyre që ishin ngjat. Në saje të tij, pra, si
njëra palë ashtu edhe tjetra, kemi të drejtë të dalim para Atit në fuqi të të njëjtit
Shpirt Shenjt. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.
Aleluja!
Aleluja! Dhentë e mia e dëgjojnë zërin tim, thotë Zoti; unë i njoh dhe ato
vijnë pas meje. Aleluja!
Ungjilli Mk 6, 30-34
Apostujt
janë populli i ri i Hyjit, grigjë e vogël e krijuar në shkretëtirë, që ka brenda vetes
thirrjen e shpëtimit për të gjithë njerëzit. Kisha edhe sot zotëron të njëjtin mision.
Fryti i saj nuk vjen nga mbështetja në fuqinë dhe nuk vjen nga rëndësia e institucioneve,
por nga bashkësitë e vogla që jetojnë me besim dhe dëshmojnë të renë e thellë të Ungjillit,
dhe nuk mbyllen në vetvete.
Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut
Në
atë kohë, apostujt u bashkuan prapë te Jezusi dhe i treguan gjithçka kishin bërë dhe
kishin mësuar. Atëherë ai u tha: “Ejani dhe ju në një vend të pabanuar e pushoni pak
në vetmi.” Sepse aty aq shumë njerëz vinin e shkonin sa që s’kishin kohë as të hanin.
Ata u nisën me barkë për në një vend të pabanuar, në vetmi. Porse njerëzit i panë
në ç’drejtim u nisën e shumica e morën me mend vendin ku do të shkonin dhe, këmbë,
prej të gjitha qyteteve, shkuan atje e arritën para tyre. Kur Jezusi doli nga barka,
pa një turmë të madhe të popullit, iu dhimbsën, sepse ishin porsi ‘dhentë pa bari’,
e filloi t’u mësojë shumë gjëra. Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty,
o Krisht!
Më tepër mbi Liturgjinë e Fjalës Hyjnore të dielës së 16-të,
mund të dëgjoni në faqen e internetit të Radio Vatikanit............