2012-07-20 13:07:23

Ipeshkvijtë italianë për Ramazan: “Përvojë e Zotit, në frymën e paqes”


“Përvoja e Zotit i bashkon popujt, u dhuron shpirtin e paqes, i miqëson, duke shmangur çdo rrezik kundërshtie e konflikti”.
Kështu shkruan ipeshkvi i Pistojës, kryetar i Komisionit për Ekumenizmin pranë Konferencës ipeshkvnore italiane, imzot Mansueto Bianchi, në mesazhin e urimiti, drejtuar të gjithë myslimanëve të pranishëm në Itali, të cilët nisën muajin e shenjtë të Ramazanit.
“Që sot, shkruan imzot Bianchi, fillon një dëshmi e rëndësishme e përmasës dhe shpirtit fetar, edhe këtu në Itali, përmes pranisë së vëllezërve myslimanë. Është dëshmi e orientimit të jetës kah Zoti, e lidhjes më të thellë me Të. Besoj se edhe një shoqëri si jona, fuqimisht e shekullarizuar, mund e duhet të përfitojë nga kjo dëshmi. Prej këndej, dëshiroj t’u drejtoj një përshëndetje shumë të përzemërt myslimanëve të pranishëm mes nesh, në Itali, për këtë periudhë kaq të rëndësishme të jetës së tyre fetare vjetore.
Ipeshkvi, njofton agjencia Sir, kujton pastaj edhe masakrat e ditëve të fundit në Siri e Bullgari. Dëshiroj të nënvizoj, shton imzot Bianchi, se në një çast si ky, muaji i Ramazanit ka një rëndësi të madhe, sepse i ndihmon besimtarët ta jetojnë përvojën fetare me bindjen se shtigjet e fesë janë shtigje të paqes, të unitetit e, prej këndej, edhe të dialogut, të bashkëjetesës ndërmjet popujve e të përvojave të ndryshme kulturore, nga të cilat lindën qytetërime të ndryshme, por jo kundërshtare. Prandaj besoj se nga një kohë e fortë, si kjo e Ramazanit, duhet ta presim dëshminë e mesazhin e fortë të paqes jo vetëm në kontekstin evropian, por edhe në ato grupe radikale ekstremiste, që duken shpesh, e dramatikisht, në horizontet e kohëve tona.
Përvoja fetare është udhë e paqes dhe e bashkëjetesës, pa sinkretizma, pa e humbur origjinalitetin dhe identitetin, me bindjen e thellë se të gjithë ecim kah i njëjti cak!







All the contents on this site are copyrighted ©.