2012-07-20 14:28:10

Atë Konrad Gjolaj në përvjetorin e vdekjes


Françeskani shqiptar atë Konrad Gjolaj është një nga emrat njerëzve që flijuan jetën për t'i qëndruar besnikë Krishtit e Atdheut! Atë Konrad Gjolaj, ndërroi jetë dymbëdhjetë vjet më parë në Kuvendin Françeskan të Gjuhadolit në Shkodër. Jeta e tij, filluar më 2 janar 1918 në Velipojë, është simbol sa i dhimbshëm, aq edhe i lavdishëm i rrugës që përshkoi shumica e meshtarëve katolikë dhe e qytetarëve shqiptarë, dëshmi e gjallë se në Shqipërinë e diktaturës komuniste pati disidencë të fuqishme, në emër të idealeve të pavdekshme të Fesë e të Atdheut.
Nxënës i një gjermani të kulturuar, që derdhi gjakun në e për tokën shqiptare, bir në shpirt i së cilës ishte, don Alfons Trackit, atë Konradi eci besnikërisht në gjurmët e mësuesit martir. Ishte vetëm 25 vjeç kur u ngjit në elterin e bazilikës së Shën Gjonit në Lateran, Katedralja e Romës, për të kremtuar Meshën e parë, për ta vijuar pastaj misionin meshtarak në Atdhe, ku më 1947 u arrestua nga regjimi komunist vetëm pse ishte françeskan.
I përgatitur me kulturën e përgjithshme më të gjerë të kohës në Liceun "Illyricum" në Shkodër dhe më pas në Universitetin Antonianum të Romës, ku u doktorua në drejtësi kanonike, ai diti të mbronte idealet fetare e atdhetare me dinjitet të pashoq e aftësi të rralla juristi, para gjyqit farsë të komunistëve, drejtuar nga gjykatës të përgatitur ndër kurse kundër analfabetizmit, në duar të të cilëve qenë partia e pushteti, drejtësia e vetë jeta. Çuditemi pastaj pse Shqipëria është katandisur në vendin më të varfër të Evropës!
Në vend që të lirohej me admirim për mbrojtjen e jashtëzakonshme që nxirrte në dritë pafajësinë e tij, duke fajësuar gjykatësit, për të nisi udha e kryqit, kalvari i një vendi, ku drejtësia nuk ekzistonte. Rrugën e jetës së tij, sa të mundimshme, aq të lavdishme, që e përfundoi si sot shtatë vjet, na e la trashëgim në shkrimet e botuara ndër faqet e revistës "Hylli i Dritës" dhe në atë që e quajti "vepra eme e mbrame" në librit e tij me kujtime "Çinarët".







All the contents on this site are copyrighted ©.