2012-07-19 20:16:53

Radio Maria feston 9-të vjetorin


Si sot, 9 vjet më parë, Radio Maria e filloi rrugëtimin e vet në popullin shqiptar. E sot familja shqiptare radiofonike e Radio Marisë ishte në festë.
Gëzimit të familjes së Radio Marisë shqiptare, në këtë përvjetor të rëndësishëm e të bukur të misionit ungjillëzues në viset shqiptare, duke u nis nga drejtori, dom Prenk Lazri, redaktorët, teknikët e të gjithë bashkëpunëtorët tjerë, i bashkohet edhe Redaksia e Programit Shqip të Radio Vatikanit.
Urime e përgëzime vëllazërore për misionin e çmueshëm që bëni çdo ditë në vreshtin e Zotit që gjendet në trevat shqiptare.

Ja si e paraqiti ditën e 9-të vjetorit në faqe të internetit Radio Maria:

Në datën 19 korrik, nga Katedralja e Shën Shtjefnit në Shkodër, duam që ta falënderojmë Hyjin pikërisht për Radio Marinë dhe për të gjithë ju që keni marrë pjesë në zhvillimin dhe rritjen e saj ditë pas dite e vit pas viti. E nisëm këtë vepër me një studio transmetimi në Shkodër, ndërsa tani i kemi edhe 4 studio të tjera në Tiranë, Gjakovë (KS), Detroit (SHBA) e Lezhë. Gjithashtu mbërrijmë shumë zemra dëgjuesish edhe përmes dëgjimit të radios në internet. Kjo mrekulli e thjeshtë teknologjike, e vendosur nën mbrojtjen Zojës së Këshillit të Mirë dhe ia besuar ndërmjetësimit të së Lumes Nënë Tereza dhe të Martirëve shqiptarë, bën që të shpallet dhe të rritet Mbretëria e Qiellit. E ju, të dashur bamirës dhe dëgjues të Radio Marisë, jeni ndihmës dhe dëshmitarë të kësaj vepre.
Programi i festës është si më poshtë vijon:
09:00 - 09:55 - Adhurimi Eukaristik dhe lutja e Rruzares së shenjtë me të pranishmit, që udhëhiqet nga Don Prekë Lazraj.
10:00 - 10:05 - Përshëndetja dhe falënderimi nga presidentja e Shoqatës Radio Maria, znj. File Preka.
10:05 - 11:30 - Mesha e Shenjtë, në Katedralen e Shkodrës.
11:30 - Një çast i bashkëndarjes më miqtë e Radio Marisë. Mundësi takimi me të gjithë të pranishmit në festën e Radio Marisë në Shkodër.
Të gjithë pjesëmarrësit në festë do të mund të gjejnë për blerje libra të shumtë shpirtërorë, kryesisht botime të Radio Marisë, te tavolinat e vendosura para ndërtesës së radios. Ndër titujt e ndryshëm, të cilët jua këshillojmë për t’u ushqyer me Fjalën e Zotit dhe për ta rritur fenë tuaj, mund të përmendim këto botime:
Bibla, Breviari, Lulet e shpirtit, Një ekzorcist tregon, Gëzimi i takimit, Gjaku i Hyjit, Jetë me Nënë Terezën, Lutjesore, Mëshira Hyjnore, Bisedoj me vëllezërit e mi, Ferri ekziston, Rruzarja e lirimit, Pali i Tarsit, etj.


Letra e drejtorit të Radio Marisë, dom Prenk Lazrit

Të dashur miq e bamirës,
Nëntë vjet më parë, Radio Maria e filloi rrugëtimin e vet në popullin shqiptar. Këto ishin vite të hirit dhe të bekimit, me të cilat vetë Zoti na përcolli të gjithëve së bashku për ta çuar përpara këtë vepër, edhe pse me vështirësi shumë të mëdha por edhe me gëzim të jashtëzakonshëm që Zoti na ka dhënë si ngushëllim të jashtëzakonshëm gjatë këtyre nëntë vjetëve.
Të gjithë së bashku morëm pjesë në të, secili me dhuratën që kishte: dikush me punën vullnetare, dikush me përhapje të lajmit për ta dëgjuar porosinë që Radio Maria e transmetonte në vazhdimësi, dikush duke u bërë bamirës i rregullt i Radio Marisë, dikush duke i ofruar Hyjit vuajtjen dhe lutjen, dikush duke ofruar emisionet e veta, dikush duke paraqitur gatishmërinë për të plotësuar kërkesat e ndryshme që Radio Maria të funksionojë ashtu siç Hyji e ka përcaktuar misionin që ajo ka për ta kryer.
Të dashur miq, secili bëri të mundurën e shumë herë mund të themi edhe të pamundurën që vepra hyjnore të arrinte sa më shumë zemra. Filluam me një frekuencë në Shkodër dhe brenda një viti me frekuenca të reja mbuluam më shumë se 70% të popullsisë shqiptare. Vetë Hyji ishte në vepër.
Puna dhe angazhimi ynë ishte krejtësisht i vogël në krahasim me hirin dhe bekimin e madh që Zoti i dhuroi për dashurinë e madhe që e ka për popullin e vet. Nëse dëshirojmë ta zbërthejmë këtë dashuri të madhe që e tregoi Hyji, atëherë duhet të hyjmë në mjedisin e dashurisë amnore që Zoja e Këshillit të Mirë, Pajtorja e shqiptarëve e ka për bijtë dhe bijat e veta. Na duhet të ndalemi në misterin që Hyji ia zbuloi botës në bijën e popullit shqiptar, Nënë Terezën, dhe ndërmjetësimin e saj, na duhet të sodisim dëshminë e jashtëzakonshme që gjatë dyzetë vjetëve të regjimit komunist e dhanë martirët tanë që tani me ndërmjetësimin e vet para Hyjit po bëjnë që mirësia dhe dashuria e Hyjit t’i vërshojë zemrat e vëllezërve dhe të motrave tona përmes zërit të ëmbël të Radio Marisë në Shqipëri dhe kudo në botë.
Mirëpo, të dashur miq, rrugëtimi i kësaj vepre të Hyjit nuk përfundon këtu. Kemi nevojë që të rritemi dhe të udhëtojmë së bashku. Kemi nevojë që ta zgjerojmë zemrën tonë ashtu që të jetë e gatshme për të pranuar edhe më shumë hir dhe dashuri që na dhuron qielli. Kemi nevojë që të afrohemi edhe më shumë me njëri-tjetrin që t’i përballojmë të gjitha sfidat e reja, të cilat Nëna e Këshillit të Mirë do t’i vendosë para nesh. Ajo dëshiron që të bashkohemi me të dhe të lutemi më shumë, dëshiron që të punojmë më shumë, të flijohemi më shumë, sepse pikërisht përmes këtyre virtyteve që do t’i gjejë në ne, ajo dëshiron të arrijë edhe shumë zemra të bijve dhe bijave të veta që ende qëndrojnë të mbyllur plotësisht përballë hireve dhe dashurisë që Mëshira hyjnore e ka për ta.
Derisa kremtojmë dhe falënderojmë për nëntë vitet e punës që i ka bërë Radio Maria në ne dhe rreth nesh, është mirë që të jemi të vëmendshëm dhe t’i dëgjojmë ato thirrje që në secilin prej nesh i bën Shpirti i Zotit për ta vazhduar rrugën tonë të mëtutjeshme që na e ka përcaktuar Hyji. Kryerjen e detyrave do ta bëjmë më së miri në qoftë se e lejojmë Zotin të veprojë në ne dhe përmes nesh. Hyji do ta marrë zotërimin mbi jetën tonë gjatë bashkimit tonë me të në lutje, përmes meditimit dhe mësimit që Radio Maria ia ofron zemrës tonë në mënyrë të vazhdueshme. T’i afrohemi burimit të hirit për të falënderuar për të kaluarën dhe për të gjetur fuqi veprimi në të ardhmen.
Zoja e Këshillit të Mirë, Nënë Tereza dhe Shërbëtorët e Hyjit, pajtorët e Radio Marisë ndërmjetësofshin që zemra jonë të jetë e gatshme për t’i pranuar dhe për t’i jetësuar të gjitha frymëzimet hyjnore që Mëshira hyjnore dëshiron t’i realizojë në të ardhmen përmes valëve të Radio Marisë.
Hiri dhe bekimi i Zotit e stolistë jetën e popullit tonë përmes bukurisë, të cilën po e bën të pranishme dashuria e të gjithë njerëzve që e mbështesin dhe e çojnë përpara Radio Marinë. Urime!
Don Preka







All the contents on this site are copyrighted ©.