2012-07-19 15:34:40

Përfundoi vizita e kardinalit Sandri, prefekt i Kongregatës për Kishat Lindore, në Gjeorgji e Armeni


Kardinali Leonardo Sandri, prefekt i Kongregatës për Kishat Lindore, e përfundoi vizitën e tij baritore në Gjeorgji e Armeni. Më 12 korrikun e kaluar, në Tbiliz, u përkujtua 20 vjetori i lidhjes së marrëdhënive diplomatike ndërmjet Selisë së Shenjtë e Gjeorgjisë, ndërsa më 13 korrik, gjithnjë në kryeqytetin gjeorgjian dhe në prani të nuncit apostolik, imzot Marek Solzhinski, Hirësia e Tij u takua me të rinjtë, për të vizituar, më pas Gyumrin, në Armeni
Të dielën, më 15, prefekti i Kongregatës për Kishat Lindore kryesoi në Dashir, Meshën Solemne në gjuhën armene, në Kishën e saporindërtuar, kushtuar ‘Nënës së Zotit’, ndërsa pasdite u takua me të rinjtë katolikë armenë. Gjatë vizitës së tij në Armeni, kardinali Sandri vizitoi edhe qendrat e drejtuara nga rregulltaret e Kongregatës së Bamirësisë, themeluar nga e Lumja Nënë Terezë.
Të hënën e kaluar Hirësia e Tij ishte për një vizitë zyrtare në Echmiadzin, ku u takua me katolikosin e të gjithë armenëve, Karekinin II. Pas kësaj vizite, u organizua një pritje për nder të kardinalit Sandri dhe të delegacionit vatikanas, në të cilën ishte i pranishëm edhe Karekini II. Gjatë fjalimit të mirëseardhjes, kreu i Kishës Armene Apostolike foli për lidhje të përzemërta e historike ndërmjet Kishës Armene Apostolike e Romës, duke nënvizuar posaçërisht bashkëpunimin në fushën shoqërore dhe edukative. Karekini II kujtoi, më pas, shtegtimin apostolik të Gjon Palit II në Armeni si dhe takimet me Benediktin XVI, duke e falënderuar kardinalin Sandri për vëmendjen e veçantë kushtuar popullit armen e duke iu lutur t’i përcjellë Papës përshndetjet më vëllazërore. Në mbrëmje kardinali Sandri u takua me përfaqësuesit e trupit diplomatik të vendeve të huaja, të pranishëm në Armeni.
Pastaj prefekti i Kongreagatës Lindore realizoi etapën e parë në Dzidzenagapert (Fortesa e dallëndysheve) monument përkujtimor i genocidit armen, ku nderoi kujtimim e martirëve, për të vizituar, më pas, Madanataranin: muzeun e biliotekën e pasur me dorëshkrime të lashta.
Hirësia e Tij u prit nga presidenti i Republikës armene Serj Sarkissian dhe u takua me ministrin e jashtëm, Eduard Nalbandian.







All the contents on this site are copyrighted ©.