2012-07-19 15:47:24

Patrikana latine e Jeruzalemit dënon masakrën e hebrenjve në Burgas


Edhe Kisha Katolike dënon atentatin kundër hebrenjve në Bullgari. “Ç’ka ndodhur është vërtet tragjike dhe e tmerrshme. Nuk mund të vrasësh në emër të Zotit, ose në emër të ndonjë ideologjie. Është e papranueshme”. Kështu komenton për agjensinë kishtare Sir, vikari patriarkal i Jeruzalemit, imzot Uiliam Shomali. “Me këtë sulm të ulët – pohon më tej ai – shtohet vuajtja e popullit hebraik, i persekutuar rëndë gjatë Holokaustit. Nuk mund të rrimë duarkryq, por dënojmë ashpër këtë akt barbar. Nëse ka konflikt, ai duhet zgjidhur me bisedime e jo me hakmarrje e genocide. Jemi kundër çdo forme dhune”. Imzot Shomali nuk mungon të shprehë shqetësimin e tij për shkallëzimin e dhunës e të tensionit në Lindjen e Mesme, sidomos në Siri, vend i lidhur ngushtë me Libanin, ku Papa do të shkojë pas më pak se dy muajsh. “Shumë pretendojnë se gjendja në Siri do të zgjidhet së shpejti e se do të kemi një fitimtar – pohon prelati – por harrojnë të thonë se i munduri dihet që tani. Është populli, i cili ka pasur shumë viktima, është ekonomia e shkatërruar, është indi shoqëror i shthurur nga përçarjet etnike e fetare”.







All the contents on this site are copyrighted ©.