Sot më 19 korrik kalendari Kishtar përkujton Shën Makrinën, murgeshë. Makrina ishte
e parëlindura prej dhjetë fëmijëve të Bazilit e të Emelies, familje nga Ponti i Greqisë
e familje e bekuar prej Zotit, që ndër bijtë e vet pati përveç shën Makrinës edhe
shën Bazilin e Madh, ipeshkëv i Cezaresë, shën Gregorin ipeshkëv i Nisës, e Pjetrin
meshtar e murg. Shenjtja njihet me emrin Shën Makrina “e re”, për t’u dalluar nga
e gjyshja, që kishte të njëjtin emër e që ishte ndjekëse e Shën Gregorit mrekullibërës.
Gjyshi i saj nga ana e nënës qe martirizuar në epokën e Dioklecianit. Makrina
qe edukuar nga gjyshja në njohuritë e Shkrimit të Shenjtë, Biblës e që në moshë të
re e ndihmonte të ëmën e saj në punët e shtëpisë e në edukimin e të gjithë vëllezërve,
aq më tepër kur e ëma mbeti vejush pas lindjes së fëmijës të dhjetë. Kur të gjithë
bijtë qenë sistemuar në mënyrë të përshtatshme, nënë e bijë mbetën vetëm, e Makrina
e bindi të ëmën për t’u tërhequr së bashku në vetmi në Anezi pranë Horës në Ponti,
pranë lumit Iris, për të themeluar një manastir për t’iu kushtuar Zotit e meditimit
të Fjalës së Tij jetëdhënëse e ku do të ndiqeshin edhe nga shërbëtoret e shtëpisë
së tyre në jetën murgare. Makrina pati ndikim të madh tek i vëllai Bazili, i cili
e braktisi jetën shekullare prej eruditi për të përqafuar, rreth vitit 356 jetën murgare,
pastaj bëhet ipeshkëv i Cezaresë në vitin 370, duke u kthyer tek e motra për vizitë
në manastire në vitin 376; e shuguroi meshtar të vëllain e vogël Pjetrin, që jetoi
në një manastir afër atij ku jetonte e motra; Bazili vdiq më 1 janar 379. Me vdekjen
e nënës së saj më 373, Makrina bëhet eprore e manastirit; në vitin 380 i vëllai, Gregori
që qe bërë ipeshkëv i Nisës, duke u kthyer nga Koncili Kishtar i Antiokisë, deshi
të kalonte për vizitë tek e motra në Anezi, por e gjeti në shtratin e vdekjes e pati
me të një bisedë të paharrueshme që u pavdekësua në faqet e dialogut “Mbi shpirtin
dhe ringjalljen”. Vetë Gregori, duke i shkruar një letër murgut oshënar Olimpit mbi
doktrinën asketike e shpirtërore, tregon jetën e Shën Makrinës si shembull të një
jete kushtuar krejtësisht Zotit. Makrina vdiq më 380.