2012-07-19 18:04:08

Komunikatë e Sallës së Shtypit të Vatikanit mbi deklaratën e Kapitullit të Përgjithshëm të Vëllazërisë së Shën Piut X.


Kapitulli i Përgjithshëm i Vëllazërisë meshtarake Shën Piu X, që përfundoi ditëve të fundit, ka botuar një Deklaratë lidhur me mundësinë e normalizimit të marrëdhënieve kanonike kishtare ndërmjet Vëllazërisë Shën Piu X e Selisë së Shenjtë të Romës. Megjithëse është bërë publike, një Deklaratë e tillë para se gjithash mbetët një dokument i brendshëm, për studimin dhe diskutimin ndërmjet anëtarëve të vet Vëllazërisë.
Selia e Shenjtë e ka para sysh këtë deklaratë, mirëpo mbetët në pritje të deklaratës së paralajmëruar zyrtare nga ana e Vëllazërisë Meshtarake, për vazhdimin e dialogut ndërmjet Vëllazërisë dhe Komisionit “Ecclesia Dei”.
Me fjalë tjera, këtë deklaratë të bërë publike sot nga Kapitulli i përgjithshëm i Lefebvrianëve, Selia e Shenjtë nuk e konsideron si përgjigjje zyrtare që Vëllazëria Meshtarake Shën Piu X duhej t’i jepte Selisë së Shenjtë mbi pranimin apo jo të ‘hyrjes doktrinore’, kusht për kthimin në bashkim të plotë me Romën. Selia e Shenjtë është gjithnjë në pritje të një përgjigjeje të tillë, e në pritje të saj nuk e komenton deklaratën e botuar dje.
Përgjigjja që Selia e Shenjtë pret nga Vëllazëria Meshtarake Shën Piu X është ajo si rezultat i bashkëbisedimeve e i negociatave të gjata ndërmjet dy palëve që janë zhvilluar me tërheqjen e shkishërimit të katër ipeshkvijve lefebvrianë nga ana e Papës Benediktit XVI në vitin 2009, pas kërkesës bërë nga prelati imzot Bernard Fele, me letrën e 15 dhjetorit 2008, edhe në emër të tre ipeshkvijve të tjerë vëllazërisë.
Argumenti i bashkëbisedimeve, ishte pajtimi i mundshëm i Vëllazërisë së themeluar nga ipeshkvi imzot Marcel Lefebvre me Kishën Katolike të Romës. Kohë më parë, Kongregata e Vatikanit për Doktrinën e Fesë i ka propozuar imzot Bernard Fellayt, Eprorit të lefebvrianëve, një ‘hyrje doktrinore’ që duhet të pranohet nga grupi i ultratradicionalistëve, si dhe një zgjidhje të mundshme kanonike në rastin arritjes së “pajtimit të mundshëm”. Ky aspekt i dytë, është saktësuar nga e Selisë së Shenjtë, mund të konkretizohet në një Prelaturë personale ndërkombëtare, sipas modelit të asaj të Opus Dei. Do të thotë se bëhet fjalë për një organizëm që nuk i përgjigjet ipeshkvijve të veçantë e konferencave ipeshkvnore por drejtpërdrejtë Papës.
Bashkëbisedimet që janë zhvilluar deri më tani janë në fusha të ndryshme teologjike doktrinore e kanonike kishtare. Që nga viti 2008, një komision i përzier studimi, përbërë nga ekspertë të Vëllazërisë Meshtarake Shën Piu X e nga ekspertë të Kongregatës së Vatikanit për Doktrinën e Fesë, është mbledhur në shumë takime, që janë zhvilluar në Romë.
Këto bisedime që patën si synim paraqitjen, thellimin dhe zgjidhjen e vështirësive doktrinore thelbësore mbi tema kontroverse, kanë arritur qëllimin e sqarimit të qëndrimeve dhe të motiveve përkatëse. Edhe në referim të shqetësimeve e të kërkesave të paraqitura nga Vëllazëria Meshtarake Shën Piu X në fushën e rendit të ruajtjes së integritetit të fesë katolike para hermeneutikës së ndërprerë të Koncilit të II të Vatikanit nga Tradita, për çka foli Papa Benedikti XVI në Fjalimin e tij drejtuar Kuries Romake (22-XII-2005), Kongregata e Selisë së Shenjtë për Doktrinën e Fesë e konsideron si bazë themelore për arritjen e pajtimit të plotë me Selinë Apostolike, pranimin e tekstit të ‘Hyrjes Doktrinore’, që është dorëzuar gjatë takimit të 14 shtatorit 2011.
Hyrja përmend disa parime doktrinore e kritere të interpretimit të doktrinës katolike, të nevojshme për garantimin e besnikërisë ndaj Magjisterit të Kishës e “të qenit së bashku me Kishën”, duke i lënë, në të njëjtë kohë, diskutimeve të ligjshme studimin dhe shpjegimin teologjik shprehjeve të veçanta apo formulimeve të pranishme në dokumente të Koncilit të II të Vatikanit e të Magjisterit të mëvonshëm.
Kështu janë propozuar disa elemente të një zgjidhjeje kanonike kishtare për Vëllazërinë meshtarake shën Piu X pas pajtimin të mundshëm që urohet e shpresohet të arrihet, për çka Selia e Shenjtë mbetet në pritje të përgjigjes zyrtare.







All the contents on this site are copyrighted ©.