2012-07-19 11:49:00

Don Alfons Tracki, në përvjetorin e ekzekutimit


Po kujtojmë më 18 korrik përvjetorin e vrasjes së don Alfons Tracki, meshtar martir. Lindi më 2 dhjetor 1896 në një familje, që ishte shumë e ndikuar nga një traditë luftarake në Bleischwitz/ Bliszezyce (Wroclaw) me prejardhje polake.
Pasi mbaroi studimet teologjike në Bosnje në vitin 1920, u transferua në Shkodër (Shqipëri) si misionar.Ishte shumë i zellshëm në ushtrimin e veprimtarisë së tij meshtarake e shumë i ndjeshëm kundrejt problemeve shoqërore, gjithmonë me një shpirt e guxim të krishterë.
Organizoi grupin “Viribus Unitis”, duke mbledhur kështu shumë të rinj. Hapi një shkollë për fëmijët më të mëdhenj se dhjetë vjeç. Luftoi me ngulm traditat e këqija siç është prirja për t’u hakmarrë dhe marrja e gjakut. Gjithmonë ofronte një zgjidhje të krishterë për këto probleme.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore disa herë u bë ndërmjetësues tek oficerët gjermanë për të liruar shumë shqiptarë, ndër të cilët kishte edhe të rinj komunist, edhe pse e dinte mirë rrezikun që mund të sillte teoria ateiste. Kontribuoi shumë edhe në krijimin e një ekuilibri më të mirë të bashkëjetesës dhe të dashurisë reciproke ndër bashkësitë fetare të pranishme në vend. Ia kushtoi vetveten formimit të klerikëve: ishin 14, gjashtë u masakruan dhe u pushkatuan nga komunistët, kurse pesë vdiqën pas një burgimi të gjatë.
Gjatë gjyqit, sipas Atë Konradit o.f.m., bëri këtë deklaratë: “… nuk më vjen keq aspak se po vdes bashkë me vëllezërit e mi, sepse, për sa kam mundur, kam kontribuar edhe unë me ju, për të mirën tuaj dhe të fesë së Krishtit”. U pushkatua më 18 korrik 1946.
Më 7 nëntor 2002, një ditë para se të nisej për në Shqipëri, ku shpalli emrat e 40 martirëve të Kishës katolike shqiptare, kandidatë për të cilët nisi procesi kanonik për nderimet e elterit, Prefekti i asokohshëm i Kongregatës së Vatikanit për Ungjillëzimin e Popujve, kardinali Kreshencio Sepe, foli mbi domethënien fetare e shoqërore të atij udhëtimi. Në pyetjen: Në listën e martirëve, propozuar nga ipeshkvijtë, nuk shënohen vetëm emra martirësh shqiptarë, por edhe italianë e gjermanë, si Atë Giovanni Fausti, Dom Alfons Tracki e të tjerë, që dhanë dëshminë e gjakut për Krishtin e për Kishën e tij në Shqipëri. Na duket se kështu krijohet një ikonë e vërtetë misionare….
Kardinali Sepe në mikrofonin e programit shqip të Radio Vatikanit mes tjerash tha:
"Misionarët kanë pasur e kanë meritë të madhe që në fillim, sepse këta vëllezër e motra tona, lanë gjithçka, për të ndihmuar në rindërtimin shpirtëror, shoqëror e material, rindërtim që vijon, sepse martirët nuk i pengojnë kufijtë e atdheut, as të kulturës, as të ngjyrës së lëkurës. Është i njëjti gjak, i kuq, që vijon të derdhet në botë - ai që u derdh në trojet shqiptare, duke i hapur udhën misionarëve të tjerë, të cilët bëjnë çmos ta ndihmojnë popullin shqiptar në rilindjen e tij të vështirë.
E duhet ta kemi mirë parasysh se për ta kumtuar Ungjillin e Krishtit, ashtu si edhe për të dhënë ndihmesën në të gjitha fushat e mundshme, duhet hyrë në mendësinë, në jetën konkrete shoqërore-kulturore e fetare. Natyrisht sot për sot prania e misionarëve është shumë aktuale, plot gjallëri, por besojmë se nesër do të jetë Shqipëria ajo që do t'i japë shumë misionarë mbarë kishës; njerëz që e kanë ruajtur fenë në rrethana shumë të vështira, siç ishin ato të salvimit fetar, jo më shumë se dhjetë vjet më parë. E pastaj kemi të bëjmë me traditën tipike të vendeve ballkanike, që bëhet shembull për të tjerët, sepse ai që del nga katakombet, del më i përforcuar në fe, më i fuqishëm. Prandaj kjo dëshmi e besimit fetar, e përshpirtërisë dhe e jetës së krishterë shqiptare mund t'u sjellë, pa dyshim, shumë dobi edhe kombeve të tjera".







All the contents on this site are copyrighted ©.