2012-07-18 14:45:49

Siri: thirrje e patrikut Gregori III për dialog e pajtim


Ndërsa kriza siriane rëndohet gjithnjë më shumë e konflikti në vend ka marrë tashmë pamjen e luftës civile; ndërsa flitet me gjuhën e dhunës e çdo zë, që bën thirrje për moderim mbytet nga krismat e armëve, është më e ngutshme se kurrë përpjekja për dialog e pajtim: këtë pohon Gregori III Laham, patriku greko-melkit i Damaskut, në një notë dërguar agjencisë Fides.
Patriku, duke besuar në shpirtin e popullit të vet, pohon: “Sirianët, falë historisë së tyre të lashtë, mund ta kapërcejnë këtë krizë, duke e ndihmuar e duke e mbështetur njëri-tjetrin, duke e dashur e duke e falur njëri-tjetrin. Bëjmë thirrje urgjente për dialog , pajtim e paqe, e kjo është një nga gjuhët më të rralla, që pak e kush dëshiron ta dëgjojë. Ne, të krishterët, që na u besua Ungjilli i paqes, ndjejmë thirrjen ta vijojmë kumtimin e tij.
Duke analizuar krizën siriane, patriku vëren: “Rreziqet më të mëdha në Siri, sot janë anarkia, mungesa e sigurisë dhe vërshimi masiv i armëve nga të katër anët. Dhuna lind dhunën, që rëndon mbi të gjithë qytetarët, pa dallim race, feje e ngjyrimi politik: në këto rrethana të krishterët kërcënohen nga të njëjtat rreziqe, por janë hallka më e ligshtë e zinxhirit, që lidh bashkësitë e ndryshme siriane. Të pambrojtur, janë më të rrezikuar nga shfrytëzimi, rrëmbimet, shpërdorimet. Pavarësisht nga kjo, nuk ka asnjë konflikt ndërmjet të krishterëve e myslimanëve. Nuk ka persekutim, e të krishterët nuk merren në shënjestër si të tillë, por janë viktima të kaosit e të mungesës së plotë të sigurisë. Ndërmjet elementeve negative, kujton patriku, është indiferenca e të huajve, arabëve e perëndimorëve, që sjellin armë, para e informacione krejtësisht të njëanshme. Kjo ndërhyrje është shumë e dëmshme edhe për të ashtuquajturën opozitë, dëmton rëndë unitetin kombëtar e ligështon zërin, që flet për moderim.
Lidhur me sjelljen e kishave, patriku shpjegon: Kishat katolike në Siri, të të gjitha konfesioneve, vijojnë të ngrejnë zërin, duke kërkuar reforma, liri, demokraci, luftë kundër korrupsionit, ndihmë e zhvillim, liri fjale e besimi. Sot kërkojmë të ndalim ciklin e vrasjeve e të shkatërimit, posaçërisht kundër civilëve, që kalojnë çaste të vështira. E kemi fjalën për besimtarët e të gjitha feve, viktimat e vërteta të këtij konflikti. Kisha nuk e ka pranuar kurrë sektarizmin, nuk është radhitur kurrë me ndonjërën palë, kundër tjetrës, ka mbrojtur gjithnjë vlerat etike e ungjillore. Prandaj duhet t’i kundërvihemi një farë fushate kundër barinjve të Kishave në Siri, të akuzuara për bashkëpunim me regjimin, duke ripohuar besueshmërinë, transparencën besnikërinë dhe qëndrimin objektiv të barinjve, të cilët janë në lidhje të përhershme me meshtarët, murgjërit, murgeshat e laikët. Ata, shton nota, bëjnë thirrje për dialog e pajtim, i kundërvihen dhunës, punojnë për sigurimin e civilëve të pambrojtur gjatë ndeshjeve në vijim, në mënyrë që të mos vihen në shënjestër të palëve kundërshtare. Patriku, në përfundim, shpreh besimin në nismat e shoqërisë civile për forcimin e përzemërsisë e të lidhjeve ndërmjet sirianëve, të cilët konflikti i ka shkatërruar. Lutemi për lëvizjen Mussalaha, në të cilën punojnë gjallërisht delegatët e të gjitha kishave, për të çuar unitetin dhe dashurinë ndër zemra, pohon. E kjo përbën bazën kryesore për zgjidhjen e konfliktit. Në këtë veprimtari, përfundon patriku, kemi shumë nevojë për mbështetjen e Papës dhe urojmë që vizita e ardhshme e Benediktit XVI në Liban të jetë ndihmesë konkrete për Sirinë, që konflikti të marrë fund e vendi të rifillojë lulëzimin. Prandaj kërkojmë ndihmë nga të gjithë vëllezërit tanë të krishterë, në Lindjen e Mesme e në mbarë botën.







All the contents on this site are copyrighted ©.