2012-07-18 14:44:37

Raporti i Moneyval lavdëron Vatikanin për masat kundër riciklimit


Priteshin sot me padurim rezultatet e raportit të parë evropian, që vlerëson masat e Shtetit të Vatikanit për parandalimin e riciklimit të parave dhe të financimit të terrorizmit. Dokumenti, i hartuar nga një Komitet i veçantë i “Moneyval”-it të Këshillit të Evropës, u komentua në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë, nga zv.sekretari për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Etore Balestrero.
Sipas tij, Vatikani është vlerësuar pozitivisht në nëntë nga 16 rekomandimet kryesore. Sqarojmë se rekomandimet evropiane janë gjithsej 45, jo të gjitha njësoj të rëndësishme. 22 prej tyre janë plotësuar katërcipërisht, ndërsa 23 të tjera akoma duhen zbatuar. Imzot Balestrero vuri në dukje sidomos shtatë zona kritike, për të cilat Vatikani impenjohet të arrijë së shpejti standartet ndërkombëtare:
“Raporti i publikuar sot përfaqëson një gur të rëndësishëm kilometrik në rrugën për bashkimin e impenjimit moral të Selisë së Shenjtë me teknologjinë më të sofistikuar”.
Rrugë, e nisur që në fund të vitit 2010, me miratimin e ligjit 127 të Vatikanit për parandalimin e riciklimit dhe të financimit të terrorizmit. Ky ligj hyri në fuqi në prill 2011, ndërsa që në shkurt, Selia e Shenjtë kërkoi vlerësimin e Moneyval-it.
“Rruga e gjatë, bërë në një periudhë kohe shumë të shkurtër – nënvizohet në raportin evropian – flet pozitivisht për Selinë e Shenjtë, përsa u përket aspekteve të rëndësishme si riciklimi i parave, masat e konfiskimit, ligji mbi lirinë e veprimit, dokumentet, asistenca ligjore e ndërsjelltë, trajtimi penal i financimit të terrorizmit, bashkëpunimi ndërkombëtar, ratifikimi i Konventave të OKB-së në këtë fushë”. Nga ana tjetër, Moneyval kërkon të forcohet baza legjislative për kontrollin, duke vënë në dukje mungesën e qartësisë në rolin, përgjegjësinë, autoritetin, pushtetin dhe pavarësinë e Autoritetit për Informacionin Financiar, i cili po punon që nga qershori i vitit 2011 si mbikqyrës i veprimtarisë ekonomike të Vatikanit. Gjithashtu, i kërkon Institutit për Veprat Fetare (IOR) të fiksojë norma të qarta për ata që kanë të drejtë të hapin një llogari bankare pranë tij. Imzot Balestrero përfundoi me fjalët:
“Kemi bërë pra, një hap përfundimtar, duke i ndërtuar themele të forta e të qëndrueshme shtëpisë, ose sistemit për luftën kundër riciklimit e financimit të terrorizmit. Tani duam ta ngremë krejt ndërtesën, e cila tregon vullnetin e Selisë së Shenjtë dhe të Shtetit të Vatikanit për të qenë partnerë të besueshëm të bashkësisë ndërkombëtare”.







All the contents on this site are copyrighted ©.