2012-07-18 14:44:57

Kisha Katolike në Siri


Kisha Katolike në Siri, në bashkim me ipeshkvin e Romës, Papën, është pjesë përbërëse e Kishës katolike universale. Me histori, që nis që në zanafillën e krishterimit, numron sot 360 mijë katolikë, përkatësisht 2% e popullsisë. Katolikët sirianë ndjekin ritin latin, por edhe disa rite të tjera: ritin siriak, maronit, kalde, melkit, armen.
Simboli më i ndritur për gjithë vendin është fshati Ma’lula, 45 kilometra në veri të Damaskut, ku vijon edhe sot e kësaj dite të flitet aramaikishtja, idioma e përdorur dymijë vjet më parë në të gjithë zonën siro-palestineze, e cila besohet se ishte gjuha mëmë e Jezu Krishtit.
Në Ma’lula ngrihen dy manastire katolike të ritit bizantin, një mashkullor e një femëror: përkatësisht Shën Sergji e Baku e Shën Tekla (ku ruhen edhe reliket e Shenjtores).Kisha katolike në Siri ka 18 qarqe kishtare. Lidhjet diplomatike me Selinë e Shenjtë nisin që nga shekulli XVIII, kur Papën e përfaqësonin vikarët apostolikë të Alepit. Por marrëdhëniet zyrtare diplomatike ndërmjet Selisë së Shenjtë e Sirisë u vendosën më 21 shkurt 1953, kur u ngrit edhe internunciatura e më pas, më 2 shkurt 1966, nunciatura, me letrën papnore Quam sedem, të Papës Pali VI.







All the contents on this site are copyrighted ©.