2012-07-18 18:46:43

Benedikti XVI: thelloni vlerat dhe traditat afroamerikane!


Në një mesazh, nënshkruar nga sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone, drejtuar imzot Pablo Varela Server, ipeshkëv ndihmës i Panamasë dhe kryetar i Departamentit të Edukimit dhe të Kulturës pranë Këshillit ipeshkvnor latino-amerikan (Celam), Benedikti XVI u shpreh afërsinë e tij shpirtërore drejtuesve të punës baritore afroamerikane të kontinentit, mbledhur në Guayaquil, në Ekuador, për takimin XII të punës baritore afroamerikane e karaibike, që do të përfundojë më 20 korrik.
Papa i inkurajon pjesëmarrësit të reflektojnë mbi vlerat kulturore, mbi historinë e traditat afroamerikane, në mënyrë që Kisha të mund ta paraqesë gjithnjë më mirë Jezusin, si përgjigje për pyetjet më të rëndësishme të njeriut. I porosit, në vijim, të frymëzohen nga Shpirti Shenjt, që i bën të lulëzojnë të gjitha kulturat, duke i pastruar e duke i rritur farët e filizat e panumërt, që mbjell në këto troje Bujku i Mirë, Fjala e mishëruar. I orienton, kështu, në udhët e Ungjillit, duke u kujtuar fjalën e tij të hapjes në Konferencën V të përgjithshme të Episkopatit latinoamerikan e karaibik të 13 majit 2007.
Në takimin, kushtuar temës “Puna baritore me afroamerikanët e karaibikët dhe dokumenti i Aparesidës, sfida e shpresa për Kishën e shoqërinë”, marrin pjesë 250 ipeshkvij, meshtarë, veprimtarë të baritorisë afroamerikane dhe laikë, që vijnë nga vende, ku prania afrikane është shumë e fortë, si Kolumbia, Brazili, Venezuela, Kosta Rika, Hondurasi, Haiti, Nikaragua, Guatemala, Belize, Peru e Meksika.
Takimi i parë i kësaj natyre u organizua në Buenaventuara të Kulumbisë, në vitin 1980. Në të patën marrë pjesë vetëm Kolumbia e Ekuadori.
Që asokohe takimet, në të cilat pjesëmarrja shtohet vazhdimisht, mbahen çdo tri vjet. Në përfundim të mesazhit, Ati i Shenjtë u jep bekimin apostolik ipeshkvijve dhe bashkëpunëtorëve të tyre, barinj që u prijnë këtyre popullsisve, shpesh të braktisura nga pushtetarët, duke u bërë zëri i tyre, në një botë, të cilën ky zë e shqetëson!







All the contents on this site are copyrighted ©.